Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja me Bashkimi Evropian, Majlinda Dhuka, deklaroi se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në rrugën drejt integrimit, por mbetet ende shumë punë për të përmbyllur negociatat.
Gjatë një mbledhjeje ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ajo theksoi se vendi ka marrë një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian, por pret të njëjtin qëndrim edhe nga vendet anëtare.
Sipas Dhukës, Shqipëria ka përmbushur deri tani 24 kushte të ndërmjetme, ndërsa për mbylljen e plotë të negociatave janë vendosur gjithsej 101 kushte që duhet të realizohen.
Ajo bëri të ditur se kushtet për mbylljen janë dhënë për 31 nga 33 kapitujt e negociatave dhe se puna tashmë është përqendruar në përmbushjen e tyre brenda afateve të përcaktuara.
Objektivi i qeverisë është që deri në fund të vitit 2026 të përmbushen kushtet teknike për rreth 16 kapituj, ndërsa pjesa e mbetur të mbyllet gjatë vitit 2027.
Dhuka nënvizoi se procesi kërkon angazhim të vazhdueshëm në fusha kyçe si drejtësia, siguria, të drejtat e njeriut dhe reformat institucionale, duke theksuar se integrimi në BE mbetet një prioritet strategjik për vendin.
