Deri më tani Prokuroria e Posaçme në dosjet që ka patur në duar në kuadër të operacionit “Metamorfoza” kanë dalë hapur lidhjet e policisë me krimin e organizuar. Burimet konfirmojnë se në ditët në vijim do të kemi një “Metamorfozë 4”, e cila do të jetë më tronditësja e të gjitha dosjeve të publikuara deri më sot nga SPAK-u për shkak të personave të implikuar, ku niveli i implikimit ku dyshohet e përflitet që janë ish-zyrtar të nivelit të lartë të Policisë, funksionar vendor dhe politikanë të rëndësishëm të pleksur e të gërshetuar me grupet kriminale, me aktivitetin e pastrimit të parave, me korrupsion dhe me kapjen e shtetit. Për t’i shkëputur këto fije, Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku firmosi dje urdhrin “Për miratimin e ‘Formularit të vetëdeklarimit’ mbi verifikimin e integritetit të punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit”. Pas firmosje së urdhrit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, u shpreh se askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj. “Integriteti i shëndoshë i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pastrimi i strukturave nga elementë brenda nesh, të cilët shkelin ligjin dhe betimin, është një proces prioritar dhe i rëndësishëm. Askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj. Kam bindjen e plotë se, organizata e Policisë së Shtetit ka forcën dhe energjinë e duhur pozitive për të izoluar dhe larguar nga radhët e saj çdokënd, që devijon nga misioni i ruajtjes së rendit e sigurisë publike dhe lufta e pakompromis ndaj krimit”, tha Rrumbullaku.
Detajet nga urdhri
“Në bazë të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm procesi i vetëdeklarimit do të zgjasë deri më 30.06.2024 dhe punonjësit e Policisë së Shtetit do të deklarojnë edhe ndërprerjen e marrëdhënieve juridike të punës me Policinë e Shtetit, për plotësim të pasaktë ose të dhëna të pavërteta në formularin e vetëdeklarimit. Kush pranon se ka lidhje me krimin do të largohet nga puna, por në të kundërt nëse vërtetohet se kanë gënjyer, sërish efektivët do të jenë më pjesë e Policisë së Shtetit. Më parë punonjësit e policisë iu nënshtruan plotësimit të një formulari në lidhje me përdorimin e aplikacionit Sky Ecc. Pyetjet në formularin e vetëdeklarimit “Mbi verifikimin e integritetit të punonjësve të strukturave në Policinë e Shtetit”: 1) A jeni dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja? 2) A keni kryer shkelje sigurie, a keni shkelur rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, a keni tentuar dhe keni arritur të kryeni aktivitet të paautorizuar në sistemet e komunikimit të informacionit të klasifikuar? 3) A keni në hetim ose gjykim nga autoritetet shqiptare ose të huaja, për vepra penale? 4) A keni qenë i ndaluar ose arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare ose të huaja, për vepra penale? 5) A është caktuar ndaj jush ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale? 6) A është lëshuar ndaj jush urdhër kërkimi kombëtar ose ndërkombëtar për vepra penale? 7) A keni pasur kontakte të papërshtatshme, komunikime elektronike, ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi të qëllimshëm, me persona të përfshirë në krim të organizuar? 8) A keni pranuar apo shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me persona të përfshirë në krim të organizuar?.”
