Deputetja e Partia Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër pas incidenteve të raportuara gjatë protestës së opozitës në Tiranë, duke dënuar dhunën ndaj gazetarëve dhe operatorëve të medias.
Në reagimin e saj publik, Zhupa e cilësoi ndërhyrjen policore ndaj përfaqësuesve të medias si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së informimit dhe standardeve demokratike.
Ajo solli në vëmendje rastin e gazetares Marsi Korreshi të Syri TV, e cila sipas saj u godit dy herë me ujë me presion gjatë raportimit nga protesta.
“Dhuna ndaj medias është dhunë ndaj lirisë së informimit dhe një tregues i rrezikshëm i sjelljes së një narkopolicie që nuk i përgjigjet ligjit, por urdhrave politikë”, deklaroi Zhupa.
Deputetja iu referua edhe raportit të Reporterët pa Kufij, ku sipas saj paralajmërohej se gazetarët që mbulojnë protesta shpesh bëhen objekt i dhunës policore.
“Asnjë uniformë nuk e vendos policinë mbi Kushtetutën dhe mbi të drejtat themelore të qytetarëve”, u shpreh Zhupa, duke kërkuar përgjegjësi për incidentet ndaj gazetarëve.
Deklaratat e saj vijnë pas tensioneve dhe përplasjeve të ndodhura gjatë protestës së opozitës në Tiranë, ku pati përdorim të ujit me presion dhe gazit lotsjellës nga policia për shpërndarjen e protestuesve.
