Imzot Zef Oroshi mes atdheut dhe SHBA-së, historia përtej misionit! Takimi me Nolin e pritja e Nënë Terezës në Amerikë! Ndërroi jetë në ’89-ën, pa mundur ta shihte Shqipërinë demokratike

Data

NDUE DEDAJ/ Imzot Zef Oroshi (1912 – 1989) është një figurë e rëndësishme e botës shqiptare të shekullit XX, që pati fatin të ishte nxënës i Dom Ndre Mjedës në Shkodër dhe të shkruante kujtimet për mësuesin e tij, të njihej më 1939, kur ishte student për teologji në Romë, me At Gjergj Fishtën dhe të merrte me dedikim librat e këtij të fundit, të bashkëpunonte me Ernest Koliqin në revistën “Shejzat”, të takonte më 1962 imzot Fan Nolin, të pritej në Vatikan nga Papa Pali VI më 1970, të priste në Amerikë Nënë Terezën më 1973, të ishte në miqësi të ngushtë me Arshi Pipën, të përgatiste për pasardhës Imzot Rrok Mirditën etj. Nuk ishte ipeshkëv, por kishte titullin monsinjor, që jepej për merita të veçanta famullitare e kishtare. Ndërron jetë në vitin 1989, pa mundur ta shihte Shqipërinë demokratike, që kishte qenë ëndrra e ideali i tij i jetës.

Është folur e shkruar shumë për Monsinjor Dr. Zef Oroshin këto tridhjetë vitet e fundit edhe në Shqipëri. Janë botuar disa libra kushtuar figurës së tij nga studiuesit shqiptarë në Amerikë etj. Me rëndësi ka qenë sidomos botimi i shkrimeve të tij nën titullin “Log Kuvendit në trinomin Fe – Atdhe – Përparim”, përzgjedhur dhe përgatitur për botim nga Tom Mrija (“Botimet Volaj”, Shkodër, 2019), njëherësh autor i një monografie të zgjeruar kushtuar Imzot Oroshit. Teksa vepra themelore e tij, e vlerësuar dhe nga albanologu i njohur At Zef Valentini, ka qenë “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, të cilin ia dhuron Papa Palit VI. Po ashtu me interes është dhe publikimi i dosjes së Dom Zef Oroshit, ku tregohet ndjekja sistematike që i bënte veprimtarisë së tij antikomuniste Sigurimi i Shtetit, teksa ishte në mërgim, ku krijoi e udhëhoqi më përkushtim kishën katolike të shqiptarëve në Nju Jork “Zoja e Shkodrës”.

ADVERTISIN

 

Në fillimet e tranzicionit, si sprovë e parë për ta bërë sadopak të njohur këndej Atlantikut figurën e At Zefit, qe botuar një monografi e autorit Zef Përgega, me parathënien tonë modeste. Rreth misionit të tij kanë shkruar në vite autorë si Frank Shkreli, Dom Pjetër Popaj, Dom Anton Kçira, Markus Peters, Klajd Kapinova, Leonora Laçi, Pjetër Marku etj. Busti i Imzot Oroshit në Lezhë, vendosur vitet e fundit, është shprehje e nderimit bashkiak dhe komunitar ndaj tij. Personalisht vlerësoj shumë përkujdesjen e nipit të tij, Prend Gjoka, për mbajtjen gjallë të kujtesës së këtij prelati të ndritur përmes kontakteve me studiuesit, gjurmimit të dëshmive gojore, promovimit dhe shpërndarjes së librave kushtuar Imzotit, ndihmesës për bërjen e dokumentarëve etj. Një burrë i fisëm, i kulturuar, plot urtësi, si vetë paraardhësit e derës së tij të mirënjohu

Prej vitesh më rri si një “urdhër” porosia e Imzot Rrok Mirditës për ndriçimin e kësaj figure kishtare, që ai vetë e kishte pasur si atin e tij shpirtëror. Pas predikimit që do të bënte në kishën e “Dom Lleshit” në Lezhë për Heroin Kombëtar, aty nga viti 2003, Dom Rroku më pati thënë: “Kam shumë materiale rreth Dom Zef Oroshit dhe nëse do të shkruash, t’i jap me kënaqësi”; ashtu siç rreth kësaj figure interesante na ka folur sa herë dhe Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta.

Ky tekst është ripunim e pasurim i një shkrimi tonë të tetorit 2015, ku ikja e bujshme e Imzot Oroshit jepet sipas dëshmive të familjarëve, pasi të vërtetën e asaj ikje askush nuk e dinte më mirë se vetë protagonisti dhe njerëzit e tij të afërm.

PRIFTI QË E SHPËTOI POPULLI I UNGREJT NGA ARRESTIMI MBAS MESHËS

Jeta e Dom Zef Oroshit (Çokut), prift i Abacisë së Mirditës, është një histori qëndrese, ngaqë ai mundi me i shpëtue me trimëri ndëshkimit komunist. Ai vetë nuk do ta dëshironte asesi një histori përtej misionit, por kjo ishte natyra e regjimeve totalitare, që çdo individ të njohur dhe çdo fushë të jetës, qoftë ajo edhe e besimit, ta trajtonin politikisht deri në skajshmëri. Dhjetëvjeçari i parë pas Luftës së Dytë Botërore duhet të ketë qenë ndër më të vështirët e shqiptarëve. Lufta që shporri pushtuesit, kishte vendosur regjimin komunist ateist, për të cilin nuk kishte asgjë të pranueshme nga kleri dhe feja. Kështu dhe Dom Zef Oroshin, oroshas i lindur në fshatin e vogël Kaftallë (Mirditë), diplomuar në Romë në vitin 1940 për teologji e filozofi dhe shuguruar meshtar nuk mund ta priste një fat më i mirë se paraardhësit e tij, që ose ishin ekzekutuar si “armiq të Partisë”, ose ishin futur në burg e ata që kishin mbetur i priste ndëshkimi i radhës. Ishte thjesht çështje kohe se kur do të binte dhe mbi të “Shpata e Demokleut”.

Dhe dita vjen edhe për meshtarin e Dekanatit të Dibrrit, një ditë e trishtë dimrake e janarit të vitit 1952. Sigurimi i Shtetit do të arrestonte Dom Zef Oroshin, famullitar i Ungrejt, lokaliteti i Kashnjetit, pasardhës i Dom Ndue Cubit, Dom Prend Ungrejt, Dom Ndre Simonit, Dom Pjetër Melgushit, Dom Nikollë Laskës, Dom Prend Brungës, Dom Prend Qafalisë, Dom Nikollë Lulit etj. Në vitet ’20-të të shekullit XX, Ungrej kishte qenë për disa kohë qendër e Nënprefekturës së Mirditës. Bënte ftohtë dhe pylli sipër kishës mërdhihte bashkë me njerëzit. Meshtari po çonte meshën e së dielës në kishën “Shën Maria Magdalenë”, ku kishte dhe pagëzime fëmijësh. Një heshtje ishte nderur si re e përhimtë mbi Malin e Velës, deri poshtë në Fushën e Mirë, Qafën e Pazarit dhe kodrën e Butmit, ku qëndronte stoike Kisha. Mali i Kreshtës e ndante si një perde e gurtë atë malësi mirditore me fushën e Zadrimës dhe Lezhën. Sigurimi ishte syri dhe veshi i regjimit dhe ai kishte informatorët e vet të zellshëm, që nuk ngurronin të raportonin për çdo lëvizje të arratisurish, “bandave të reaksionit” siç quheshin në zhargonin zyrtar. Por kishte besnikët e vet dhe prifti, që nuk tuteshin të rrezikonin për besimin, shpesh duke e sfiduar shtetin represiv.

Njerëzit e donin fenë dhe meshtarin e tyre, që kishte fituar aty nderim dhe autoritet. Dikush prej tyre arrin ta sinjalizojë Dom Zefin brenda në meshë, për rrezikun që e priste pas dere, kryqëzimin e tij si të Krishtit në kryq. Dukej sikur gjithçka po shkonte sipas skenarit policesk. Me të dëgjuar fjalët e famullitarit: “Mesha mbaroi, shkoni në paqe”, njerëzit e Degës së Punëve të Brendshme të Lezhës do të dilnin përpara publikut dhe do t’i hidhnin prangat “armikut të popullit” Dom Zef Oroshit. “Na mirëkuptoni, o njerëz, nuk kemi asgjë me Kishën, por ky prift ka bashkëpunuar me reaksionarët e malit dhe armiqtë tanë përtej kufijve”. Mbase nuk do të ndodhte fiks kështu, por pak me ndryshe, për të mos “dhunuar” objektin e kultit në sy të popullit, forcat e Sigurimit nuk do ta kryenin arrestimin brenda në Kishë, por do ta prangosnin priftin heretik sapo ai të dilte prej aty e të nisej për në qelë. Synimi ishte që njerëzit ta shihnin “spektaklin” dhe ngjarja të përcillej gojë me gojë: “Ej, kanë arrestue Dom Zef Çokun! Po, po, si armik të pushtetit popullor…”! Ishte llogaritur çdo gjë me imtësi. Në Tiranë pritej nga çasti në çast telegrami shifër, se në Kashnjet (Ungrej) puna u krye. Njeriut me rasë të zezë “iu pre kostumi”…

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related