Të dhënat e INSTAT tregojnë një fillim të zbehtë të vitit 2026 për ekonominë, me rënie të ndjeshme të importeve në janar, veçanërisht në kategoritë që lidhen me investimet dhe konsumin jo thelbësor.
Sasia totale e mallrave të importuara arriti në rreth 455 mijë tonë, vetëm 0.2% më shumë se janari 2025. Megjithatë, duke përjashtuar naftën, importet shënuan rënie vjetore me 4%.
Rënia ishte më e theksuar te produktet e drurit dhe letrës (-15.4%), materialet e ndërtimit dhe metalet (-4.7%), si dhe makineritë dhe pajisjet (-4.7%), duke sinjalizuar frenim të aktivitetit investues dhe prodhues.
Edhe mallrat e konsumit pësuan tkurrje: tekstilet dhe këpucët ranë me 2.2%, ndërsa artikujt prej lëkure me 3.7%. Importet e ushqimeve mbetën pothuajse në të njëjtin nivel, duke reflektuar një konsum të qëndrueshëm, por pa rritje.
E vetmja kategori me rritje të fortë ishte ajo e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, me +8.4%. Rimëkëmbja e kërkesës zakonisht pritet me afrimin e sezonit turistik, kur konsumi dhe importet rriten ndjeshëm.
