Analisti Ervis Iljazaj ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te situata në Partinë Demokratike dhe mënyra e funksionimit të partive në Shqipëri.
I ftuar në një studio televizive, ai u shpreh se debatet për demokracinë e brendshme në parti janë të pakuptimta, pasi sipas tij partitë politike në vend funksionojnë si struktura personale të liderëve të tyre.
Iljazaj theksoi se diskutimet për statutet apo zgjedhjet e brendshme janë formale, pasi në praktikë kryetarët kanë kontroll të plotë mbi partitë.
Sipas tij, çështja kryesore që duhet të diskutohet është aftësia e lidershipit për të sjellë fitore politike, duke shtuar se Partia Demokratike duhet të gjykohet mbi rezultatet në zgjedhje.
Ai u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, që nga rikthimi i Sali Berishës në krye të PD-së në vitin 2022, nuk është shënuar ndonjë fitore e rëndësishme politike.
Në përfundim, Iljazaj theksoi se sfida kryesore për opozitën mbetet rikthimi në pushtet, si kriteri kryesor për të vlerësuar efektivitetin e saj politik.
