Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vendosur të tërhiqet nga ankimi që kishte paraqitur në Apelin e Posaçëm kundër masës së sigurisë “arrest me burg”.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij mbrojtës, i cili bëri të ditur se vendimi për të hequr dorë nga ankimi është marrë pas shqyrtimit të mundësive ligjore në këtë fazë të procesit.
Me këtë vendim, procedura në Apelin e Gjykatës së Posaçme nuk do të vijojë më dhe në fuqi mbetet masa e sigurisë e vendosur më herët ndaj Metës.
Ish-presidenti i Republikës po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurisë. Hetimet lidhen me përfitime të dyshuara nga kontrata publike dhe aktivitete lobimi jashtë vendit.
Në të njëjtin proces po hetohet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila përballet me akuza të ngjashme. Ndaj saj është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Procesi gjyqësor ndaj Metës dhe personave të tjerë të përfshirë në çështje vijon në organet e drejtësisë.
