Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Piacenzës në Itali, ku një e re shqiptare ka humbur jetën pas një rënieje nga lartësia.
Viktima është 20-vjeçarja Anxhela Byku, e cila ndërroi jetë në spital pasi ra nga rreth tetë metra lartësi pranë banesës së saj në rrugën Via Beverora.
Sipas mediave lokale, pista kryesore e hetimit është ajo e një aksidenti tragjik dhe jo një veprim i qëllimshëm apo ndërhyrje nga persona të tretë. Rasti po hetohet nga Arma dei Carabinieri.
E reja, e njohur nga miqtë dhe familjarët me emrin Angi, u gjet në gjendje shumë të rëndë në oborrin e pallatit nga një fqinj të martën në mëngjes. Ajo u dërgua menjëherë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 20-vjeçarja po gatuante në shtëpi kur është shpërqendruar nga zilja e derës dhe ka dalë jashtë apartamentit pa marrë çelësat.
Pasi mbeti jashtë dhe pa mundësi për të hyrë në banesë, dyshohet se ajo ka tentuar të ngjitet në fasadën e ndërtesës duke u kapur pas parmakëve për të arritur në ballkonin e apartamentit të saj në katin e dytë.
Gjatë kësaj përpjekjeje, e reja ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga një lartësi prej rreth tetë metrash, duke pësuar plagë të rënda që rezultuan fatale. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
