Ilir Alimehmeti: Shqipëria nuk integrohet në BE me korrupsion dhe mbrojtje politike për Belinda Balluku

Data

Ish-kandidati i Partisë Demokratike dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, deklaroi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk mund të realizohet përmes korrupsionit dhe mbrojtjes politike të zyrtarëve të lartë të akuzuar nga drejtësia.

Në një intervistë televizive, ai komentoi votimin e fundit në Kuvend për rezolutën e integrimit europian, ku PS dhe PD bashkuan votat, duke theksuar se mbështet rrugën europiane të vendit, por jo mënyrën se si po qeveriset Shqipëria.

Sipas Ilir Alimehmeti, integrimi nuk është vetëm çështje dokumentesh apo negociatash teknike, por lidhet drejtpërdrejt me standardet demokratike, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e shtetit ligjor.

“Shqiptarët janë për integrimin europian dhe për vlerat europiane, por vlerat nuk janë vjedhjet dhe korrupsioni”, deklaroi ai.

Alimehmeti u ndal veçanërisht tek çështja e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e konsideruar mbrojtjen politike ndaj saj si një pengesë serioze për integrimin europian të vendit.

Ai tha se Shqipëria nuk mund të pretendojë standarde europiane ndërkohë që, sipas tij, ka ministra në burg, zyrtarë në arrati dhe raste ku mazhoranca refuzon heqjen e imunitetit për funksionarë të lartë të akuzuar nga SPAK.

“Nuk mund të kesh këto nivele korrupsioni dhe të pretendosh integrim në BE”, u shpreh ai.

Në intervistë, Ilir Alimehmeti komentoi edhe skandalin e AKSHI-t, duke deklaruar se të dhënat sensitive të shtetit shqiptar janë lënë në duar të personave të lidhur me botën kriminale.

Sipas tij, hetimet duhet të vijojnë pa ndërhyrje politike dhe drejtësia duhet të mbështetet për të çuar përpara proceset kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai shtoi gjithashtu se një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë mbetet largimi masiv i të rinjve dhe mungesa e besimit tek institucionet.

“Në Evropë shkohet me vlera dhe standarde, jo vetëm me marrëveshje apo rezoluta politike”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related