Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë mohon që në këtë institucion të jetë depozituar ndonjë ankesë nga Erion Veliaj ndaj prokurorit të çështjes së tij në SPAK, Ols Dado.
Në një përgjigje të shkurtër të dhënë për mediat, ILD bën me dije se deri në përfundimin e orarit zyrtar nuk është administruar nga ky institucion asnjë ankesë e Veliajt.
“Në përgjigje të interesit, deri në përdundim të orarit zyrtar, nuk është administruar ankesë nga z.Veliaj në ILD.” – thuhet në përgjigjen e ILD-së
Në media u raportua se Erion Veliaj i ishte drejtuar me një shkresë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku kërkonte nisjen e një procedimi disiplinor dhe pezullimin nga detyra tё prokurorit Dado. Madje, u publikua edhe shkresa e plotë, por siç duket, Veliaj e ka nisur në media, para se ta depozitoj në institucionet ku duhej dorëzuar.
Veliaj pretendon se Ols Dado ka kryer shkelje në shqyrtimin e çështjes penale ndaj tij dhe se është në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak të një leje pallati që ka kërkuar në Bashkinë e Tiranës.
