IKD alarmon: dhjetëra kandidatë për deputetë në Kosovë me dosje penale, shumica nga Vetëvendosje

Data

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me integritetin e listave zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke bërë me dije se një numër i konsiderueshëm kandidatëve për deputetë janë të përfshirë në raste penale.

Sipas raportit të publikuar nga IKD, nga gjithsej 1.179 kandidatë të certifikuar, 28 prej tyre rezultojnë të përfshirë në vepra penale, ndërsa 19 kandidatë kanë ende aktakuza aktive. Po ashtu, 12 kandidatë kanë qenë të dënuar më herët me vendim të formës së prerë.

Numri më i lartë i kandidatëve me probleme ligjore vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas IKD-së ka 13 kandidatë të përfshirë në raste penale, që përbëjnë rreth 11.8 për qind të listës së saj. Pas saj renditet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me gjashtë kandidatë, Nisma Socialdemokrate me tre, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe kanë nga dy kandidatë secila. Nga një kandidat me përfshirje në raste penale kanë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partia turke KDTP.

IKD thekson se veprat penale më të shpeshta lidhen me korrupsionin zyrtar, shkeljen e detyrës zyrtare, si dhe përdorimin e armëve apo mjeteve të rrezikshme.

Sipas legjislacionit në fuqi, një kandidat ndalohet të garojë vetëm nëse është dënuar me vendim të formës së prerë me mbi një vit burgim gjatë tre viteve të fundit. Megjithatë, IKD vlerëson se ky kriter ligjor nuk mjafton për të garantuar integritetin e Kuvendit.

Instituti u bën thirrje partive politike që të shkojnë përtej minimumit ligjor dhe të pastrojnë listat nga kandidatë që kanë probleme me ligjin, edhe në rastet kur këto probleme nuk përbëjnë pengesë formale për kandidim.

Sipas IKD-së, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare, situata ka shënuar regres, pasi është rritur numri i kandidatëve me përfshirje penale, si dhe numri i subjekteve politike që përfshijnë në listat e tyre persona me të kaluar problematike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related