Idajet Beqiri sulmon Sali Berisha: Gara në PD fiktive, “si individ ka vrarë veten” dhe duhet të japë dorëheqjen

Data

Avokati Idajet Beqiri ka lëshuar akuza të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e cilësuar garën për drejtimin e PD-së si “fiktive”.

I ftuar në një studio televizive, Beqiri u shpreh se procesi zgjedhor brenda partisë nuk është real për sa kohë që, sipas tij, Berisha nuk respekton statutin e partisë, i cili parashikon dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve.

“Kur futesh në garë, futesh me statut, dhe statuti është ligji. Nëse nuk e përfill dhe sërish kandidon, atëherë gara bëhet formale”, deklaroi ai.

Beqiri përmendi gjithashtu një padi të depozituar në gjykatë për shpalljen e pavlefshme të kandidimit të Berishës, duke kërkuar pezullimin e procesit zgjedhor deri në një vendim gjyqësor.

Në vijim, ai akuzoi liderin demokrat se synon një rezultat të kontrolluar, duke mos pranuar konkurrencë reale brenda partisë.

“Saliu e do rezultatin 100%, prandaj nuk pranon të tjerë në garë”, u shpreh ai.

Deklaratat e avokatit shkuan më tej, duke kritikuar edhe figurat që, sipas tij, dalin kundër linjës zyrtare të partisë, për të cilët tha se dëmtojnë më shumë veten sesa forcën politike.

“Ata që kanë dalë nga binarët kanë dëmtuar më shumë veten. Partia është ajo që i krijon dhe i mban në këmbë politikanët”, theksoi Beqiri.

Në përfundim, ai përdori një gjuhë të ashpër ndaj Berishës, duke deklaruar se “si individ ka vrarë veten”, duke nënkuptuar një dëm politik të parikuperueshëm.

Këto deklarata vijnë në një moment tensionesh të brendshme në Partinë Demokratike, ku debati për drejtimin dhe proceset e brendshme zgjedhore vijon të mbetet i fortë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related