Avokati i njohur, Idajet Beqiri, ka komentuar sjelljet e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ku thotë se ai po luan mendsh e ka ikur nga mend e kokës, teksa madje vë në dyshime dhe gjendjen e tij psiqike. Avokati ka plasur deklaratën “bombë” ndaj Metës ku thotë së sipas tij Iliri është pronari i fondacionit “BESA”, i cili e krijoi përmes ndihmës së Ardian Fullanit, ish-Guvernator i Bankës së Shqipërisë, ku ka zbuluar dhe skandalin ku përmes një skeme merrte me 3% kredi në Bankën e Shtetit dhe iu jepte me pas shqiptarëve me kredi me 7%, në një diferencë fitimi prej 4%. Avokati Beqiri i bën thirrje SPAK që të hetojë edhe kompaninë farmaceutike ‘FUFARAMA’, që ka marrë si truall gjysmën e Tiranës me Pro Farma-n, ku Meta ka siguruar fitime marramendëse ku ka bërë pallate shumë katëshe pas pazarit për heqjen e TVSh-së së ilaçeve që hynin në Shqipëri gjatë kohës që mbante detyrën e kryetarit të Parlamentit. Ndërkohë avokati gjatë intervistës ka ngritur alarmin teksa shprehet se SPAK duhet të nis urgjentisht një hetim ndaj deputetit të Rithemelimit, Flamur Noka për aferën e rëndë të pasaportave, ku sipas avokatit thotë se rritja e çmimit të pasaportave nga 3000 lekë në 15000 lekë për që të gjitha fitimet të shkojnë për vilat e deputetit në Gjirin e Lalëzit dhe atë të Liqeni i Thatë i Tiranës si dhe te pallati i Shkëlzen Berishës.
-Avokat Beqiri, Ilir Meta prej mëse dy vitesh është në hetim pavarësisht se nuk ka një hetim konkret me emër ndaj tij, ka kallëzim ndaj z.Meta dhe SPAK nuk a bërë asnjë lloj reagimi gjatë kësaj kohe, avokat si e keni lexuar si një strategji të SPAK-ut për të mbledhur sa më shumë fakte dhe prova apo vërtetë nuk ka diçka ta fajësoj dhe bëj përgjegjës zotin Meta?
Problemi është që nëse nuk ka ndonjë procedim apo akuzë për të, pse po luan mendsh e ka ikur nga mend e kokës Meta, aq sa vë në dyshime dhe gjendjen e tij psiqike. Pse i bën këto veprime dhe ulërin kundër SPAK-ut, përse e anatemon SPAK-un e nuk lë fjalë pa thënë ndaj z. Dumani, e stigmatizon si kryetar të grupit të strukturuar kriminal, për çfarë arsye i bën nëse nuk ke gjë e qenke e pastër.
-Mund të ndjejë dhe të ketë informacione që ka një lloj tendence nga ana e SPAK për ta ndëshkuar zotin Meta, mund të jetë edhe kjo?
Unë kam numëruar sa krime që i di unë por nëse SPAK duhet të jetë i vëmendshëm nga denoncimet publike që bëhen dhe nëpërmjet komenteve të ndryshme, me data, me fakte, me emra konkretë personazh, nga ka përfituar Meta, etj, ai del njeriu më i korruptuar në vend, edhe në botë nuk e gjen një të dytë kaq të korruptuar sa është ai, kaq i pangopur ku nuk ka lënë sektor të jetës pa futur dorën mbi xhepin e shqiptarëve. Ilir Meta duhet t’ju thotë shqiptarëve, është apo jo ai pronar i Fondacionit ‘BESA’, pavarësisht se në emër të kujt është. Te Fondacioni ‘BESA’, ky njeri a ka dorë, si e krijoi fondacionin, a e krijoi me ndihmën e Fullanit? I drejtohem SPAK, çfarë bëri me ndihmën e Fullanit, merrte kredi në bankën e shtetit dhe ia jepte fondacionit ‘BESA’. E merrte me 3% dhe BESA iu jep kredi shqiptarëve me 7%. 4% fitim dhe në këtë fitim që merr, i bëri nder Fullanit duke i bërë gruan anëtare të Gjykatës së Lartë. I bëri ndere Shefqet Dizdarit duke i dhënë koncesionin e naftës, mbi ç’bazë. Dhe i bëri nder Ilir Meta duke i bërë vëllain kryetar të Gjykatës së Lartë. E shoqja e Fullanit dhe vëllai i Dizdarit, kur erdhi problemi i 700 mijë eurove të korrupsionit, i dhanë pafajësinë Ilir Metës kur gjithë shqiptarët e panë me bllok në dorë dhe mori pafajësinë. SPAK-u nuk e di një gjë të tillë, e di jashtëzakonisht mirë prokurori që është marrë me atë çështje. Prokurori Bujar Sheshi, që sot është në Prokurorinë e Përgjithshme, duhet të shkojë në SPAK dhe të thotë se unë e kam hetuar këtë çështje dhe e mbylli Sali Berisha me Ilir Metën pasi kishin pushtet të jashtëzakonshëm, dhe me pushtetin që kishin këtë aferë të rëndë korruptive e mbyllën. SPAK duhet të hetojë urgjentisht dhe ‘FUFARMA’-n, jo vetëm se ka marrë në truall gjysmën e Tiranës të Pro Farma dhe kanë bërë pallate shumë katësh dhe fitimi që ka siguruar Ilir Meta aty është marramendës por ta hetojë, Ilir Metën dhe Edi Ramën. Ilir Meta sa erdhi kryetar Parlamenti për llogari të FUFARMA- s i hoqi TVSh që i vinin ilaçeve andej nga Shqipëria, me ligj, bëri ligj si kryetar Kuvendi dhe 200 milion euro humbet Shqipëria nga TVSh-ja që nuk ia marrim ‘FUFARMA’ dhe shkojnë në xhepin e Ilir Metës dhe oligarkëve të tjerë. Ky ligj është ende në fuqi, nuk e heq as Edi Rama, SPAK duhet ta heq dhe ta ndalojë këtë punë. Ilir Meta është i mbytur në krim dhe në kriminalitet, mirëpo SPAK nuk është ende në misionin e tij dhe pse ka bërë punë. Minimumi që ka bërë është që e hoqi pandëshkueshmërinë dhe të gjithë po e marrin vesh që jo pse ke qenë president a deputet e kryeministër ti je i imunizuar dhe nuk të prek ligji.
-Ka kaq shumë kallëzime nga juristë, avokatë dhe në SPAK por ende nuk ka një gjë konkrete, kjo tregon që SPAK nuk ka arritur dot që të faktojë një kallëzim ndaj Metës…
SPAK u ngrit kur filloi Reforma në Drejtësi që në 2016 dhe që nga 2017-a u ngrit një Gjykatë e Posaçme dhe u ngrit një Gjykatë e Posaçme siç është SPAK, grihet vetëm në momentin kur është bërë ndonjë luftë, siç u bë lufta në Kosovë nga Serbia. Ne ngritëm SPAK për të luftuar kriminelët e korrupsionit që na e rrëzuan shtetin disa herë dhe bën korrupsion shtetëror. Ato krime dihet kush ishin, nga 1992-2017, janë krime aq të rënda sa nuk ka ku të shkojë më. Cilin prej këtyre krimeve ka çuar në Gjyq, cilin prej këtyre krimeve ka hetuar SPAK-u, sepse për këtë u ngrit. Po merren me ca gjëra të vogla, me ca thërrime e përqendrohen te incernatorët. SPAK nuk u ngrit për këtë por u ngrit për ato krime të rënda që filluan me vrasjet në Shkodër, për krimin elektoral në 96’-ës, krimin e vrasjes së 3000 personave në 97’-ën, për firmat piramidale, SPAK u ngrit për të hetuar, për të gjykuar dhe për t’u dhënë mësimin e duhur kriminelëve me grada oficer, grada të larta policie që bënë grushtin e shtetit të 14 shtatorit, për Gërdecin, për 21 Janarin, për privatizimin e Alpetol-it, për privatizimin e ARMO-s, për CEZ-DIA-n. SPAK u ngrit për të gjithë këto afera dhe privatizime të paligjshme. Çfarë po bën deri tani?
-Do të bëni kallëzime të tjera në SPAK ndaj Metës?
Ato vazhdojnë, SPAK-un e kemi mbytur me kallëzime, megjithëse më i fundit ishte për Flamur Nokën. Tani presim përgjigjen e SPAK se ça po bëhet për të. Për aferën e rëndë të pasaportave, që i morën buxhetit të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë ku nga 30 mijë i bën 150 mijë lekë pasaportën dhe të gjitha shkuan te vila e Flamur Nokës në Gjirin e Lalëzit dhe te pallati i Shkëlzenit dhe prapë i Flamurit me ngjyrë të kuqe te Liqeni Artificial i Tiranës. Këto po vazhdojnë dhe po bëhen, Meta të përgjigjet si u bë pronar i dhjetëra hektarëve në Rinas, ku nesër do të zgjerohet Rinas-i dhe do të marr miliona lekë e do i fus në xhep duke ua marrë banorëve të zonës.
-Si e lexoni veprimin e Metës i cili thotë se duke luftuar nepotizmin, heq bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin nga Partia e Lirisë?
Këtë e shoh si në lloj mburoje që ai do t’u thotë njerëzve që shikoni, kam unë këto, iu ulërij unë këtyre, jam forcë ndaj ju mos veproni ndaj meje. Dhe dalin disa avokot në studio televizive dhe thonë që ka vajtuar për masë sigurimi dy herë në Gjykatë për Ilir Metën por Gjykata e ka rrëzuar këtë. Krijojnë alibira që s’janë aspak të vërteta për të krijuar idenë që është i fortë Ilir Meta, është i fortë krimi prandaj dhe ju shqiptarë mos flisni më se s’keni ça i bëni më Sali Berishës, Ilir Metës. Këto banditë që mbrojnë Ilir Metën dhe Sali Berishën këtë frymë duan të fusin e ato më pas vazhdojnë në rrugën e tyre kriminale të pastrojnë paratë. Çdo protestues që shkon në protestë dhe te banesa e Saliut dhe te dera e Bashkisë Tiranë, minimumi paguhet 10 mijë lekë të vjetra sa herë që shkojnë.
-Si e shihni këtë marrëdhënien në këtë periudhë të zotit Berisha dhe zotit Meta ku ky i fundit i ka kënduar dhe një këngë ish-kryeministrit?
Kur erdhën në vitin 1990 Sali Berisha dhe në 1991 Ilir Meta, ato erdhën të dy, njëri spiun i agjenturës së huaj serbe, tjetri spiun i Sigurimit të Shtetit. Të dyve ua kishte dosjet në dorë Ramiz Alia, ky i fundit futi dhe ca të rinj të tjerë dhe i shpërndau disa te PS dhe disa të PD. Ilir Metën e mori Saliu dhe e çoi te PS për të patur të dyja partitë që t’i kontrollonte. E kontrolloi PS deri në momentin që Nano e mori vesh dhe foli për kënetën dhe ia nxori bojën me të drejtë Ilir Metës. Dhe ato kanë vepruar si një gjarpër me dy koka dhe i kanë bërë gjëmën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Marrëdhënia e tyre do të shkojë deri aty ku këto të dy do t’i kenë qelitë e burgut afër me njëri-tjetrin dhe do të ndërtojnë dhe ‘qeverinë e re’. Njëri do të zgjidhet President dhe njëri Kryeministër i burgut 313 dhe më pas ai i Reçit të Shkodrës.
