Një 32-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Në pranga ra shtetasi Bledar Barsa, i cili ishte në kërkim për llogari të drejtësisë italiane. Arrestimi u realizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, pas shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit me homologët italianë përmes Interpol Tiranës.
Sipas policisë, Gjykata e Ankonës e ka dënuar 32-vjeçarin me 8 vjet, 11 muaj dhe 10 ditë burgim për veprat penale plagosje, kundërshtim të punonjësit të policisë dhe vjedhje, sipas legjislacionit penal italian.
Pas arrestimit, ai është ndaluar në mënyrë provizore me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të përfunduar procedurat e ekstradimit dhe për transferimin e tij drejt autoriteteve italiane.
