Një ngjarje e rëndë që rrezikoi sigurinë publike është regjistruar në Kurbin, ku një 28-vjeçar u arrestua nga policia pasi lëvizte i armatosur dhe kërcënonte qytetarët në gjendje të dehur.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu mbante me vete një armë zjarri automatike dhe për një kohë të konsiderueshme ka krijuar panik në zonë, duke kërcënuar qytetarë dhe duke dëmtuar prona. Ai theu xhamat e tre automjeteve dhe të një lokali, duke përdorur qytën e armës.
Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin organizuan menjëherë ndërhyrjen, duke finalizuar një operacion të shpejtë dhe profesional që çoi në neutralizimin dhe arrestimin e 28-vjeçarit, banues në Laç.
Gjatë kontrollit, policia i sekuestroi një armë zjarri automatike kallashnikov si edhe municion luftarak. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit parandaloi pasoja më të rënda dhe ngjarje të mundshme kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa policia thekson se do të vijojë kontrollet për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, veçanërisht në prag të ndërrimit të viteve.
