I dashur Flamur,
Ky gusht, fatmirësisht, më ka gjetur mirë nga ana shëndetësore, por rastësisht e nisa muajin duke i shkruar një doktori, Vangjelit, dhe tani po e vijoj duke i shkruar një doktori tjetër, ty. Për Himarën po ju shkruaj të dyve, jo në çështje mjekësore, sepse ky inflacion i doktorëve jovendas në Himarë veçse mund të ketë bezdisur doktor Janin që as doni ju, as ai, as qyteti që t’ia zini vendin se ka një jetë që i shërben Himarës, por për çështje konjukturash lokale. Kur para zgjedhjeve flisja nëpër media, doja që ajo krahinë krenare e Labërisë, ku, po, ka edhe tre fshatra ku banojnë banorë me vetidentifikim grek, të begatojë siç e meritojnë banorët e atyshëm e në vend të kthehet në betejë mes vorioepirotizmit e normalitetit, të kthehej për herë të parë në diskutim mbi hallet e banorëve. E di pse? Sepse flasin shumë për Himarën ata që veçse shkojnë në resortet e milionerëve, apo ata që lodrojnë në detin e kristaltë e dehen klubeve të qejfit natën e verës së mrekullueshme të rivierës shqiptare, e mendojnë se duke pasur ndonjë shtëpi aty poshtë buzë detit e jo lart maj fshatit, janë ekspertë të zonës. Po të flas, pikërisht për ata, që tezat beleriste i pasqyrojnë si shqiptare se arrijnë të flasin veç me pasanikët e atyshëm që janë o beleristët o pasanikët e Tiranës, e nuk kanë shkelur kurrë një ditë në fshatrat e zonës. Në këtë pikë, pavarësisht sa tentova të flisja për protestën e drejtë të nivicjotëve e shevasjotëve, lukovarëve e borshjotëve, qeparotasve e kudhësjotëve, vunjotasve e pilurjotëve, kuçjotëve e vranishtjotëve, nuk ia dola se, fatkeqësisht, kishit vendosur paraprakisht që ta humbisnit këtë garë, duke e shkërmoqur votën e djathtë në atë bashki.
Pak a shumë e mendoj se çfarë mund të më thuash: morëm pak më pak se votat e Belerit. E në fakt nuk është kështu. Ndoshta ti e di, por po e them për këdo që nuk e di, se bastjonet e djathta në Bashkinë Himarë kanë qenë Piluri, Borshi dhe Lukova, që ia dolët t’i humbisni të treja, duke përsëritur skenarin e vetëshkatërrimit të PD në njësinë administrative Himarë, si një kalk në të gjithë bashkinë tanimë. Për pakëz histori jo të largët, që e kam fort qejf ta shoh me vëmendje, PD ka qenë forca patriotike e Himarës, themeluar mbi baza të forta aq sa fitoi edhe bashkinë me Anesti Dhimojanin. Në 7 fshatrat e Njësisë Administrative, deri në vitin 2007 ishte bindshëm forcë e parë ose e dytë. Sot, ekziston si një forcë minore, fort pas PS e PBDNJ e kjo si një vetëshkatërrim i programuar kur forca patriotike e zonës nisi të bashkëpunoj nën rrogoz me OMONIA-n. E kishit treguar më herët, që kur më 2003, Fredi Beleri u shfaq komisioner i opozitës në Pilur, ku ende kishit shumicën dërrmuese të votave dhe e shpalosët bindshëm pas 2007, kur vendosët në mënyrë absurde që të kalonit ylberin. E ku jeni sot? Ku i keni Gjokajt, Todhrët, Gjiçalët, Priftët, Çipajt, Jabaqët, Kushtët, Lejat, Mërkurët, që ishin themeluesit e PD? Majtas i keni, jo se janë bërë të majtë, por sepse s’mund të rrinë me të djathtën që në nivel kombëtar qëndron djathtas e në nivel lokal flirton me vorioepirotizmin. E ky është vetëshkatërrimi juaj i dytë në atë zonë, pasi që prej viteve 2000, kishit vendosur vetëshkatërrimin tuaj në Njësinë Administrative Xarrë, aty ku ka veç shqiptarë e më pak se 10% grekë e befas i dhatë PD lokale PBDNJ, duke dëbuar Mano e Kote, Rubie e Gremo, themeluesit e PD jo veç në Xarrë, por edhe në Sarandë.
Nga gabimi i parë i pakuptimtë në Xarrë nuk u nxor mësim, nga gabimi i dytë i pakuptimtë në NJA Himarë nuk u nxor mësim, a është kjo e treta e vërteta? Le t’i shohim pak votat. Në Borsh, dikur bastion i së djathtës, siç shkruante dhe kolegu tuaj në politikë e i imi në universitet, Agroni, iu plasën derën të zgjedhurit tuaj lokalë nga ai fshat. Sepse nuk mundet që edhe të shkosh në zyra ku mbretëron fotografia e Spiromilos edhe të kërkosh votë në fshatin që është djegur prej Spiromilos. Në Lukovë, bastion i dikurshëm i së djathtës, humbët bindshëm për herë të parë. Më keq se thjesht humbja, iu kthyen kurrizin eksponentët lokalë. Dhe këtu nuk ka njeri që njeh zonën që nuk sheh përsëritjen e skenarit të NJA Himarë. NJA Lukovë, ku PD fitonte lehtësisht përherë, po sheh që themeluesit e PD lokale po kalojnë ylberin, jo se duan, jo se pëlqejnë shumicën aktuale, jo se nuk janë opozitarë, por sepse e ndjenë mbi kurriz vjet, atë që NJA Himarë e ndjeu mbi kurriz prej 2007, që retorika e dyfishtë e belerizmit nuk u përdor si opozitë për çështjet e tyre të drejta, por u përdor për vorioepirotizëm. Të kujtoj këtu, që është hera e parë që NJA Lukovë përballej me këtë sfidë, teksa në periudhën 2007-2011, kur vorioepirotizmi luante me ju në kurriz të identitetit lokal, ishte komunë më vete, bindshëm e djathtë, e jo 70% majtas si sot. E ku fitoi Gjikuria, hiq bastioneve të votës greke të zonës që janë Himara fshat e Gjileka, aty ku gëlojnë bizneset dhe presioni qeveritar mund të ishte i thjeshtë por nuk pi ujë, se në atë zonë nuk pi ujë presioni? Fitoi në Kudhësin e majtë, në Shën Vasilin e majtë e në Nivicën që dikur votonte majtas. Fitoi ama me diferencë të ngushtë e jo si në çdo fshat tjetër ku vota shkonte mbi 70% për secilin nga kahët se qe votë proteste kundër vorioepirotizmit në 15 fshatra a pro tij në dy fshatra. Fitoi pra në tre fshatra që kanë çështje jetike që kjo shumicë nuk ua plotëson.
