Ish-shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Erion Ahmeti, gjendet në atë që konsiderohet si “listë e sigurt” për të qenë një nga 12 drejtorët e rinj të Policisë në Qarqe, pavarësisht pikëpyetjeve të rëndësishme që janë ngritur më herët mbi integritetin e tij professional.
Në fundjavën që lamë pas, Policia e Shtetit publikoi listën dhe pikëzimin e kandidatëve për plotësimin e 12 pozicioneve në funksionin “Drejtor i Policisë Vendore”. Emri i Erion Ahmetit gjendet i dhjeti në këtë listë.
Ky pozicion “i lakmuar”, aq më tepër që ka lënë pas emra drejtuesish policie që kanë dhënë kontribut ndër vite në luftën kundër krimit të organizuar, ngre pikëpyetje mbi një skemë “lobimi” në favorin e tij.

Të dhëna të ndryshme, indirekte, krijojnë dyshimet se “lobuesi” kryesor për emrin e Erion Ahmetit është Ard Veliu, dikur ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe më tej Drejtor i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, përpara se të përfshihej zyrtarisht në radhët e “Rilindjes” së Edi Ramës, fillimisht si zv.ministër i Infrastrukturës dhe tashmë administrator i shoqërive së prodhimit të armëve, “Kayo”.
