Detaje të reja dalin nga dosja e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion lidhur me hetimet për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku zbulohet një skemë e dyshuar për fshehje pasurie dhe kalim fondesh përmes kompanive fiktive.
Sipas akteve hetimore, biznesmeni Ermal Beqiri ka blerë një jaht luksoz të tipit Predator 50 Skyfall, por mjeti lundrues nuk është regjistruar në emrin e tij. Jahti rezulton i regjistruar në emër të shtetases Xhenila Tamizi, e cila figuron si punonjëse në shoqërinë “Soft & Solutions” sh.p.k.
Kush është Xhenila Tamizi
Nga dosja e SPAK rezulton se Xhenila Tamizi ka pasur një rol aktiv në aktivitetin e kompanisë “Soft & Solutions”. Ajo kryente intervistat e punës, zhvillonte trajnime për punonjësit e rinj dhe ishte personi që njoftonte kandidatët për përzgjedhjen e tyre. Sipas dëshmive të dhëna në SPAK, shumica e punonjësve janë intervistuar dhe trajnuar pikërisht nga ajo.
Punonjësit kanë deklaruar se pas përfundimit të trajnimeve, kontratat e punës nuk lidhnin me “Soft & Solutions”, por me një shoqëri tjetër, të quajtur “EA Solutions”.
Kompani fiktive për kalimin e parave
SPAK dyshon se shoqëria “EA Solutions” është krijuar vetëm formalisht, pa ushtruar aktivitet real ekonomik. Nga dëshmitë e punonjësve dhe verifikimet e kryera, rezulton se të gjitha shërbimet dhe punët që në dokumente figurojnë si të realizuara nga “EA Solutions”, në fakt janë kryer nga punonjësit e “Soft & Solutions”.
Sipas prokurorisë, faturimet, blerjet e shërbimeve dhe transaksionet e deklaruara nga “EA Solutions” dyshohet se janë fiktive dhe kanë pasur si qëllim kalimin e pagesave drejt Ergys Agasit, i cili është në qendër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t.
“Nga tërësia e shpjegimeve të dhëna nga punonjësit, krijohet bindja se shoqëria ‘EA Solutions’ ekziston vetëm në letër dhe nuk ka realizuar asnjë punë apo shërbim konkret”, thuhet në dosjen hetimore.
Jahti luksoz si element i fshehjes së pasurisë
Fakti që jahti luksoz është regjistruar në emër të një punonjëseje, sipas SPAK, përforcon dyshimet për përpjekje për të fshehur pronësinë reale të pasurisë dhe për të shmangur gjurmimin e fondeve. Prokuroria po heton nëse kjo pasuri dhe skema e kompanive fiktive lidhen drejtpërdrejt me fondet publike të përfituara nga tenderat e AKSHI-t.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK pritet të zbulojë elementë të tjerë të skemës financiare dhe personat e përfshirë në këtë aferë të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash.
