Hapet gara për Prokurorin e Përgjithshëm më 7 prill, kandidatët përballen me verifikime të rrepta

Data

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) pritet të hapë zyrtarisht më 7 prill procedurën konkurruese për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, duke nisur një nga proceset më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Sipas informacioneve, afati për paraqitjen e kandidaturave do të zgjasë rreth një muaj. Pas përfundimit të këtij procesi, të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen një filtri të detajuar verifikimesh, që përfshijnë kontrollin e pastërtisë së figurës, verifikimin e pasurisë si dhe kritere të tjera ligjore dhe profesionale.

Roli i KLP-së do të jetë përzgjedhja e tre kandidatëve më të mirë, ndërsa vendimi final për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm do të merret nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ky proces zhvillohet në një moment delikat për institucionin, i cili së fundmi është përfshirë në debat publik pas akuzave ndaj një prej anëtarëve të tij. Megjithatë, hapja e garës konsiderohet një hap i rëndësishëm për vijimësinë institucionale dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.

Mandati i Prokurorit aktual të Përgjithshëm, Olsian Çela, përfundon më 18 dhjetor 2026, duke i dhënë kohë procesit që të zhvillohet sipas afateve dhe standardeve të përcaktuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related