Në prag të zgjedhjeve por me argumentin e mbipopullimit dhe kostos, shumica socialiste ka ndërmarrë një nismë ligjore për të “hapur” burgjet. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti socialist Nasip Naço ka propozuar projektligjin që i lehtëson kushtet e izolimit të dënuarve që i kanë mbetur 2 vite e 6 muaj burg. Kjo vlen vetëm për të dënuarit e sigurisë së ulët ndërsa kusht është sigurimi i një kontrate pune në institucion ose me vendim të Komisionit të Vlerësimit të rrezikshmërisë. Projektligji thekson se këto propozime kanë ardhur pas konsultimeve me institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile.
Detajet
Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2020, “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një deputeti, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,
VENDOSI:
Në ligjin nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 16, pas pikës 4, shtohet pika 4/1 si më poshtë: “4.1. Përjashtimisht nga parashikimet e mësipërme, Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të Dënuarve vendos kalimin e të dënuarve nga një institucion i sigurisë së lartë në një institucion të sigurisë së zakonshme, me kërkesë të drejtorit të institucionit, të dënuarit ose të përfaqësuesit të tij ligjor, ku ekzekutohet vendimi ndaj të dënuarit, në rast se i dënuari ka kryer jo më pak se 2/3 e dënimit.”
Neni 2
Në nenin 18, pika 1, ndryshohet si më poshtë: “1. Institucionet e sigurisë së zakonshme janë institucionet ku ekzekutohen dënimet ndaj të gjithë të dënuarve për vepra penale, dënimi i të cilëve kalon pesë vjet burgim, me përjashtim të atyre që vendosen në institucionet e sigurisë së lartë.”
