Grupi “Kokaina” me investime edhe në “call center”, mashtronin italianët deri në 30 mijë euro, zbardhen detajet nga dosja

Data

Grupi i kokainës, të cilët u kapën mbrëmjen e 21 marsit në rrugën e Kavajës, duket se i kishin shtrirë gjerë e gjatë ‘tentakulat’ e tyre në botën e krimit. Dje, në kuadër të vazhdimit të hetimeve në lidhje me grupin, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka zbuluar një “strofull”, ku një prej të arrestuarve kishin ngritur një ambient për “call center-a”. Shkëlqim Ostreni dhe bashkëpunëtori i tij, i identifikuar me inicialet M.H., i cili është  shpallur në kërkim nga AMP, i ishin futur “FOREX”. Një formë mashtrimi me bursat. Gjatë kontrollit në këtë ambient, u gjetën dhe sekuestruan programe, aplikacione dhe lista emrash me numra italianë, të cilët kontaktoheshin nga operatorët, duke i mashtruar për investime në bursë. Këto mashtrime varionin nga 500 deri në 30 mijë euro për person. Duke u siguruar kështu, dy “investitorëve” kryesorë të ardhura të kënaqshme me biznesin që kishin hapur në rrugën “Idriz Guri” në Astir.

Njoftimi

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka vijuar hetimet e thelluara mbi personat e përfshirë në ngjarjen e datës 21.03.2024, ku u ndalua një punonjës policie dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas të tjerë dhe pas këqyrjes së detajuar të komunikimeve telefonike mes tyre dhe personave të tjerë, deklarimeve të disa personave që tregojnë rrethana të hetimit, si dhe këqyrjes së pamjeve filmike të administruara, është bërë e mundur gjetja dhe kontrolli i një ambienti të përshtatur si Call Center, në pronësi të shtetasve M.H. (i shpallur në kërkim) dhe Shkëlqim Ostreni, i ndodhur në rrugën “Idriz Guri” Tiranë, në të cilin ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i mashtrimit me bursën FOREX. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente, pajisje të ndryshme dhe disa njësi kompjuterike, në të cilat ishin të instaluara programe/aplikacione dhe lista emrash me numra italianë, të cilët kontaktoheshin nga disa operatorë, duke i mashtruar për investime në bursë, nëpërmjet të cilave arrinin të përfitonin vlera monetare të konsiderueshme, që variojnë nga 500 deri në 30.000 euro. Mbi bazën e materialeve hetimore të administruara deri në këtë fazë i është relatuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, caktimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, në mungesë, për shtetasit M. H., 33 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” i kryer në bashkëpunim, si dhe regjistrimin e të njëjtës vepër për personin nën hetim Shkëlqim Ostreni, i arrestuar më parë si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, njofton AMP.

Detajet

Për të dy pronarët u caktua “arrest në burg” nga Gjykata e Tiranës, në akuzë për mashtrim kompjuterik, ndërsa Ostreni ka edhe akuza të tjera nga aksioni i disa ditëve më parë. Mbi të rëndojnë akuzat për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Kjo pasi disa netë më parë, ai u kap gjatë një operacioni antidrogë ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Enea Sulejmani dhe u sekuestrua një kilogramë kokainë. Enea Sulejmani, Igli Begaj dhe Shkëlqim Osteni, dyshohet se prej kohësh operonin si furnizues kokaine në zonën e Xhamllikut. Duke qenë se kryenin lëvizje të dyshimta, prej më shumë se 2 muajsh mbaheshin nën vëzhgimin e Policisë, deri natën e 21 marsit. Atë natë do të bënin shkëmbimin e 1 kile kokainë dhe kishin lënë vendtakimin tek rruga e Kavajës.  Por me të ndërhyrë patrulla, tentuan që të shtypnin efektivët që po u ishin vënë pas. Derisa në një moment, një prej tyre qëlloi drejt tyre duke plagosur në fundshpinë 30-vjeçarin që ende ndodhet në spital. Disa ditë më parë, në pranga përfundoi edhe kolegu i tyre, polici i “Operacionales”, Ervis Shkurta. Natën që u krye operacioni Shkurta komunikonte me Ostrenin. Hë mbaruat?,”-shkruante Shkurta në “WhatsApp-in” e Shkëlqim Ostenit, i cili e kishte shënuar me emrin “Visi i Pazarit”. Duke qenë se nuk kishte marrë asnjë përgjigje, Shkurta e telefonoi disa herë shokun e tij me numrin britanik që përdorte për shkëmbime të tilla, por nuk mori asnjë përgjigje. Por la mjaftueshëm shenja për t’u prangosur edhe vetë. Edhe pse mohon çdo akuzë të ngritur ndaj tij, AMP zbuloi se oficeri ka patur dijeni të plotë për shkëmbimin e drogës, e cila do t’u dorëzohej shpërndarësve në zonën e Xhamllikut, në Tiranë. E po ashtu, njoftuan se hetimet për grupin do të vazhdonin, duke zbuluar “call-center-in” e sotëm. Mesa duket, ky biznes ishte një mënyrë e mirë e gjetur nga Osteni për të pastruar paratë që fitonin nga droga. Megjithatë, ka ende shumë për t’u zbuluar nga aksioni. Ende nuk dihet se nga kush e merrnin drogën 3 të arrestuarit dhe kujt konkretisht ia shisnin në Xhamllik. Hetimet vazhdojnë, por deri më tani duket se të arrestuarit kanë zgjedhur që të mos pranojnë asgjë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related