Grupi Parlamentar i PD-së ka paditur në SPAK, ministren e Energjisë, Belinda Balluku duke e akuzuar se vetëm për 1 vit grabiti rreth 180 milionë euro me shitjen e energjisë. Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se ministrja Belinda Balluku ka shmangur shit-Blerjen e energjisë në bursë për të favorizuar 4-5 kompani pranë saj. Ndërsa u shpreh se nga shitblerja e energjisë jashtë bursës dëmi i shkaktuar ishte gati 16 milionë euro.
“Përgjegjësja kryesore për zbatimin e kësaj skeme korruptive që vjedh buxhetin e shtetit dhe kalon miliona euro në llogaritë e 4-5 kompanive private është Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku”, theksoi Bardhi.
Ai thekson se ka depozituar në SPAK me dokumente, sipas tij, të gjitha veprimet dhe mosveprimet e ministes Ballukut “e cila ka lejuar që energjia elektrike të shitet me humbje jashtë tregut të Bursës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet në fuqi, duke vjedhur hapur qytetarët shqiptarë”. Bardhi ka shpjeguar edhe rolin e Belinda Ballukut në atë që e konsideroi, një “aferë abuzimi prej miliona eurosh”.
“Ministrja e Energjisë është Kryetare e Asamblesë së Përgjithshmë të KESH-it, personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë. Pa miratimin e Belinda Ballukut, skema okulte e shitblerjes së energjisë jashtë bursës dhe abuzimi me miliona euro do të ishte ndalur. Ministrja e Energjisë, si kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar praktikën e paligjshme të shitblerjes së energjisë jashtë bursës, me një dëm të frikshëm prej gati 16 milionë euro vetëm për periudhën e analizuar nga ana jonë”, theksoi ai.
Deklarata e plotë:
Jam sot këtu para jush për të denoncuar publikisht dhe, më pas, për t’i kërkuar SPAK-ut hetimin e një prej skemave më korruptive të kësaj qeverie, shitblerjen e paligjshme të energjisë elektrike me një abuzim që vetëm për 1 vit, llogaritet në mbi 180 milionë euro. Përgjegjësja kryesore për zbatimin e kësaj skeme korruptive që vjedh buxhetin e shtetit dhe kalon miliona euro në llogaritë e 4-5 kompanive private është Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku.
Në informacionin që grupi parlamentar i Partisë Denokratike i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, shpjegohen me detaje dhe paraqite me dokumenta të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Belinda Ballukut, e cila ka lejuar që energjia elektrike të shitet me humbje jashtë tregut të Bursës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet në fuqi, duke vjedhur hapur qytetarët shqiptarë.
Me vendosjen në funksion të Bursës shqiptare të Energjisë vitin e kaluar, Koorporata ElektroEnergjitike Shqiptare kishte detyrimin ligjor të tregtonte në bursë energjinë e pakontraktuar, por kjo nuk ka ndodhur. Raportet e Entit të Energjisë provojnë se KESH ka shkelur ligjin vitin e kaluar dhe deri në këtë moment që flasim, pasi nuk e ka nxjerrë energjinë e pa kontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private seksese të shitblerjes së energjisë elektrike.
