Kryeministri Edi Rama e konsideron të paarsyeshme faktin që çështjet dypalëshe mes dy vendeve të pengojnë integrimin e një shteti, duke iu referuar ngërçit mes Shqipërisë dhe Greqisë, që kjo e fundit ka vendosur veto për shkak të Fredi Belerit.
Në një konferencë shtypi me gazetarët ditën e sotme, Rama bëri të ditur se çfarë tha në samitin e së mërkurës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri bëri të ditur se e ngriti shqetësimin që mosmarrëveshjet mes dy vendeve nuk duhet të pengojnë procesin e anëtarësimit.
“Është trajtuar nga ana ime edhe çështja e vështirësisë që prej vitesh krijojnë eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale në tryezën e BE. Për hir të së vërtetës ka një sensibilizim shumë të lartë, sidomos nga shtetet më me eksperiencë, më me jetëgjatësi në familjen e bashkuar europiane lidhur me faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e KiE krijojnë pengesa të paarsyeshme. Çështjet bilaterele janë çështje që duhen të zgjidhen midis dy vende dhe aq më tepër është e paarsyeshme që në një proces integrimi ku një vend hyn në negociata, që hyn në një fazë përfundimtare të shtetbërjes europiane duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE, të pengohet të vonohet sepse ka një çështje dypalëshe. Mbase do ishte më e kuptueshme që kur vjen momenti që vendi i ka përfunduar të gjitha dhe është vota, atëherë cilido mund të thotë që unë s’jam dakord. Por kjo pengesë është e paarsyeshme, jo vetëm por edhe jo euriopiane në frymë dhe natyrisht rastet dhe historitë kanë qenë më shumë se sa 1 e 2 dhe nuk është rastësi që të gjitha këto raste vijnë nga zona e Ballkanit. Dhe nëse nuk do gjendet një rrugë për të ndarë njëherë e mirë çështjet dypalëshe nga procesi i negociatave, Ballkani dhe vendet që janë të përfshirë në këtë proces në rajonin tonë mund ta parashikojmë pa vëshirësisë se sa probleme mund të nxjerrim rrugës mes njëra-tjetrër aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, të natyrës krejtësisht politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE”.
Rama tha se çështja me Greqinë duhet të zgjidhet mes dy vendeve, teksa theksoi se fqinjin tonë jugor e konsideron si partner strategjik.
“Ndërsa në raport me çështjen e dallimit aktual mes nesh dhe Greqisë, unë nuk jam zgjatur por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që përsa na takon si Shqipëri nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë që është partner strategjik i Shqipërisë, vend fqinj me të cilin duam t’i thellojmë marrëdhëniet e fqinjësisë, të thellojmë bashkëpunimin dhe të forcojmë miqësinë duke bërë gjithçka që na takon ne”.
Kryeministri Rama shprehu bindjen se Shqipëria do të bëhet Europa e Ballkanit, dhe jo një vend ballkanik në BE.
“Dhe ne duam të jemi një vend europian në Ballkan, jo një shtet ballkanik në BE. Shqipëria duhet, mund dhe me punën tonë të përbashkët do të bëhet Europa e Ballkanit, i ka të gjitha ato që i duhen për t’u bërë Europa e Ballkanit. Transformimi i brendshëm i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne dhe ndryshimi i Shqipërisë nga një vend i prapambetur, vendi i një rrumpalle ballkanike, në një vend që funksionon si shtet anëar i BE është po aq i rëndësishëm sa anëtarësimi i Shqipërisë në BE”.
Rama: Vendet e BE, vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë
“Dje u diskutua perspektiva e vendeve tona në rrugën e integrimit europian, u vu në pah progresi, u fol për procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës dhe më vjen shumë mirë të ndaj sot me ju faktin se vendet anëtare kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë dhe posaçërisht nga ana e KE vlerësohet me nota shumë pozitive performanca e skuadrës sonë kombëtare të negociatave në fazën e parë tanimë të përmbushur të skanimit të krejt organizimit shtetëror të Shqipërisë si dhe të tregjeve tona. Këto ditë do organizoj një takim falenderimi për më tej të anëtarëve të kësaj skuadre e cila në totalin e vetë po të marrim negociatorët, prezantuesit dhe kontribuesit është rreth 1000 vetë ku përfshihen jo vetëm institucionet e ekzekutivit por edhe të institucioneve pavarura, një skuadër e cila ka bërë 777 prezantime në Bruksel gjatë 14 muajve nga çelja e negociatave të anëtarësimit dhe përfitoj nga rasti t’ja u përcjell që sot edhe njëherë falenderimin dhe mirënjohjen për organizimin”.
Rama: Revolucion për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE përmes inteligjencës artifiale
“Kam informuar me shumë krenari samitin për modelin tonë të ri revolucionar, inovativ të inteligjencës artificiale me të cilin do bëjmë ndërvendosjen 3384 masave të BE në legjislacionin tonë të paktën duke qenë gati pastaj kjo do jetë edhe pjesë e strategjisë tonë të procesit, duke qenë gati me të gjithë malin e dokumentacionit 5 vjet më shpejt se sa Kroacia e cila mbahet mend për një performancë shumë serioze dhe efiçente në këtë proces që i mori 7 vjet”.
Rama: Prokurimet publike do të bëhen me inteligjencë artificiale
“Kam informuar dhe për modelin tjetër që nuk është dhe s’ka si të jetë, por synimi është që të jetë gati brenda këtij mandati për një minimizim të paprecedentë të pjesëmarrjes së njeriut në proceset e prokurimeve publike duke përdorur inteligjencën artificiale. Modeli i parë i procesit të ndërvendosjes së trupit ligjor të BE në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë e ka kaluar me sukses testin dhe tani jemi në procesin e kolaudimit dhe do fillojmë zbatimin me një shpejtësi që falë teknologjisë është eksponencialisht më e lartë se sa rruga tradicionale”.
Kryeministri Rama: Europa për ne, borxh historik ndaj gjeneratave
“Më tej kam prekur çështjen e marrëdhënies strategjike të Shqipërisë me BE, si një marrëdhënie që bazohet tek një religjion i përbashkët që është Europa, si një amanet i vjetër i atyre që na lanë porosi që të mos harrojmë asnjëherë se për ne dielli lind andej nga perëndon, si një borxh historik ndaj gjeneratave të tjera dhe patjetër edhe si një fuqi e shtuar për të punuar dhe përballuar me durim çdo vështirësi e kapërcyer çdo pengesë”.
Qëndrimi i Greqisë për Shqipërinë/ Rama: Optimist që ky ngërç do të kapërcehet. Ne do të bëjmë detyrat tona
Kryeministri i vendit, Edi Rama, lidhur me qëndrimin e Greqisë për Shqipërinë, shprehet optimist se ngërçi në hapjen e kapitujve do të kapëcehet. Në një konferencë për mediat, kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria do të jetë gati për BE-në shumë më shpejt se BE-ja të jetë gati për Shqipërinë.
Edi Rama: Ka pasur një keqkuptim që lidhet me natyrën teknike të funksionimit të procesit. Këshilli Europian nuk merr vendim lidhur me këtë, ngarkon konferencën apo mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare që ditët e ardhshme të procedojnë nga pikëpmaja formale lidhur me të gjitha vendet bazuar dhe në raportin e progresit dhe në indikacionet e Këshillit Europian.
Pra, unë mbetem optimist që ky ngërç do të kapërcehet, por mbetem i po të njëjtës bindjes se kapëcehet apo jo ky ngërç, se Shqipëria, praktikisht nuk vonohet asnjë ditë sepse ne do të bëjmë detyrat tona dhe kemi në dorë një instrument të jashtëzakonshëm, të cilin ja kam shpërndarë miqve të familjes evropiane bashkë me një urim nga Shqipëria. Ne do të jemi gati për BE-në shumë më shpejt se BE-ja të jetë gati për ne.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Rama: Kam bërë thirrje që Këshilli Evropian të heqë menjëherë sanksionet që iu imponuan Kosovës
