Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 44-vjeçarin Lulzim Muca, i akuzuar për veprën penale “vrasja me dashje e mbetur në tentativë”.
Sipas dosjes hetimore, ngjarja ka ndodhur më 9 qershor 2025, rreth orës 15:30, në fshatin Çermë të Njësisë Administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë. I pandehuri ka goditur bashkëfshatarin e tij, Ferit Balkiun, katër herë me një mjet prerës, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe të rrezikshme për jetën në zonën e barkut.
Prokuroria sqaron se sulmi nuk u përfundua për shkak se mjeti prerës u thye gjatë aktit, duke u shkëputur tehu nga doreza, si edhe falë ndërhyrjes së personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje, të cilët arritën të ndalojnë agresionin.
Nga hetimet rezulton se shkak i konfliktit ka qenë një debat verbal me fyerje reciproke mes të pandehurit dhe viktimës, vetëm pak minuta përpara sulmit me thikë.
Çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të 44-vjeçarit.
