Gjykata Supreme rrëzon urdhrin e Trump, mbetet në fuqi shtetësia automatike për fëmijët e lindur në SHBA

Data

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë një tjetër goditje administratës së presidentit Donald Trump, duke lënë në fuqi parimin kushtetues të shtetësisë automatike për fëmijët e lindur në territorin amerikan.

Me një vendim 6 me 3, shumica e gjyqtarëve rrëzuan përpjekjen e administratës Trump për të shfuqizuar të drejtën e shtetësisë sipas parimit ius soli për fëmijët e emigrantëve pa dokumente ose me vizë të përkohshme. Vendimi e konsideron antikushtetues urdhrin ekzekutiv të firmosur nga Trump në ditën e parë të mandatit të tij të dytë.

Ky konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme të Gjykatës Supreme gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan, pas vendimit të mëparshëm që kufizoi një pjesë të politikës së tij tarifore.

Vendimi është hartuar nga Kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, i cili argumentoi se interpretimi i administratës Trump për Amendamentin e 14-të të Kushtetutës nuk mbështetet në jurisprudencën amerikane. Ai rikujtoi precedentin historik të vitit 1898, United States v. Wong Kim Ark, sipas të cilit shtetësia amerikane u garantohet personave të lindur në territorin e SHBA-së, me përjashtime shumë të kufizuara, si fëmijët e diplomatëve të huaj.

Sipas vlerësimeve të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, nëse urdhri ekzekutiv do të hynte në fuqi, ai mund të prekte deri në 250 mijë fëmijë çdo vit, duke u mohuar atyre shtetësinë amerikane që në lindje.

Në të njëjtën ditë, Gjykata Supreme mori edhe dy vendime të tjera me ndikim të gjerë: miratoi ndalimin e pjesëmarrjes së sportistëve transgjinorë në garat sportive për femra dhe hoqi një kufizim historik mbi financimet e koordinuara mes partive politike dhe kandidatëve, një zhvillim që pritet të ndikojë në garat për zgjedhjet e mesmandatit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related