Gjykata suedeze urdhëron Google të paguajë 1.5 miliardë dollarë dëmshpërblim në çështje konkurrence

Data

Një gjykatë në Suedi ka vendosur që Google të paguajë rreth 1.5 miliardë dollarë dëmshpërblim ndaj PriceRunner, pasi konstatoi shkelje të rregullave të konkurrencës.

PriceRunner, e cila është në pronësi të Klarna, kishte ngritur padi në vitin 2022, duke pretenduar se Google favorizonte në mënyrë të padrejtë shërbimet e veta të krahasimit të çmimeve në rezultatet e kërkimit, në dëm të konkurrentëve.

Sipas gjykatës, edhe pse padia nuk u pranua plotësisht, dëmshpërblimi i akorduar përbën shumën më të madhe të dhënë ndonjëherë nga një gjykatë suedeze në një çështje të konkurrencës.

“Edhe pse PriceRunner nuk arriti sukses të plotë me padinë e saj, dëmshpërblimi i dhënë është pa dyshim më i madhi në historinë e çështjeve suedeze të konkurrencës”, deklaroi zyrtarja gjyqësore Linda Kullberg.

Fillimisht, PriceRunner kishte kërkuar rreth 2.1 miliardë euro dëmshpërblim, ndërsa me interesat e përllogaritura pretendimi arrinte në rreth 8 miliardë dollarë.

Çështja lidhet me një vendim të mëparshëm të Komisioni Evropian, i cili në vitin 2017 vendosi ndaj Google një gjobë prej 2.42 miliardë eurosh për abuzim me pozitën dominuese në treg, duke konstatuar se kompania kishte favorizuar shërbimin e saj të krahasimit të blerjeve në rezultatet e kërkimit.

Vendimi i gjykatës suedeze pritet të rrisë më tej presionin ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë, ndërsa autoritetet evropiane vijojnë të forcojnë zbatimin e rregullave të konkurrencës në tregun digjital.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related