Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në Bulqizë, ku automjeti i gazetarit Sami Curri është përfshirë nga flakët, në rrethana që dyshohet të jenë të qëllimshme.
Mjeti ishte i parkuar pranë pallatit ku banon gazetari dhe u shkatërrua pothuajse plotësisht nga zjarri. Sipas të dhënave paraprake, një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me zjarrvënie të qëllimshme për shkak të aktivitetit të tij profesional.
Vetë gazetari ka deklaruar se e konsideron këtë akt si një mesazh kërcënues që lidhet drejtpërdrejt me punën e tij në terren, ku ai trajton shpesh çështje të ndjeshme si prokurimet publike dhe institucionet lokale.
Pas ngjarjes ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili e cilëson rastin një alarm serioz për sigurinë e gazetarëve në vend.
Në reagimin zyrtar, AGSH shpreh shqetësim të thellë dhe thekson se incidente të tilla krijojnë një klimë frike për median dhe cenojnë lirinë e informimit.
Organizata i ka bërë thirrje Policia e Shtetit dhe organeve të drejtësisë që të hetojnë me prioritet maksimal rastin, duke identifikuar autorët dhe zbardhur plotësisht rrethanat.
Sipas AGSH, çdo vonesë në hetim rrezikon të përkeqësojë situatën dhe të dërgojë sinjale negative për lirinë e medias në Shqipëri, ndërsa theksohet se çdo përpjekje për të frikësuar gazetarët është e papranueshme dhe bie ndesh me interesin publik.
