Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi ka qëndruar për rreth dy orë në Prokurorinë e Posaçme, ku pas daljes nga godina ka konfirmuar hetimet e SPAK ndaj tij.
Më konkretisht, SPAK po heton ndaj tij në lidhje me një kallëzim të avokatit Idajet Beqiri, të cilin Këlliçi në prononcimin për mediat e quajti “një mashtrues me vendim gjykate”.
Belind Këlliçi është kallëzuar në SPAK për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme dhe deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit si kandidat për deputet dhe kandidat për kryetar bashkie të Tiranës.
Ish-deputeti demokrat deklaroi se kallëzimi dhe hetimi ndaj tij është bërë vetëm për shkakun se ka rrëzuar një skemë korrupsioni me vlerë 1 miliardë euro si ajo e inceneratorit të Tiranës.
Belind Këlliçi deklaroi se është në dispozicion të drejtësisë në lidhje me çdo pyetje apo sqarim që ata kanë nevojë.
