Gjykata e Apelit e Romës ka ngritur dyshime për legjitimitetin e protokollit të marrëveshjes për emigrantët mes Italia dhe Shqipëria, duke vënë në diskutim përputhshmërinë e saj me normat europiane për azilin.
Pikëpyetjet mbi ligjshmërinë e marrëveshjes erdhën pas ndalimit të tre shtetasve marokenë, të cilët u transferuan në kampin e emigrantëve në Gjadër.
Në tre vendime të nxjerra gjatë javëve të fundit, gjyqtarët e Romës theksojnë se kërkesa për të konfirmuar ndalimin e tyre nuk mund të shqyrtohej normalisht, pasi vetë gjykata ka dyshime mbi legjitimitetin e dispozitave të protokollit Itali-Shqipëri dhe ligjit që ratifikon këtë marrëveshje.
Sipas gjykatës, një nga çështjet kryesore lidhet me përputhshmërinë e marrëveshjes me nenin 9 të Direktivës Europiane për azilin, i cili parashikon se azilkërkuesit kanë të drejtë të qëndrojnë në një shtet anëtar derisa të merret një vendim përfundimtar për kërkesën e tyre.
Aktualisht, Gjykata Europiane e Drejtësisë pritet të japë një vendim të ri më 23 mars, i cili mund të ndikojë drejtpërdrejt në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.
Kjo çështje lidhet me dhjetëra raste të emigrantëve që presin riatdhesimin, disa prej të cilëve janë transferuar nga Italia në Shqipëri dhe kanë qenë më parë të dënuar për vepra të rënda penale.
