GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqaj për lirim, refuzohet edhe garancia prej 20 mijë eurosh pas 21 muajsh paraburgim

Data

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi paraburgimin.

Pas 21 muajsh në qeli, Beqaj kishte ofruar një garanci pasurore prej 20 mijë eurosh për lirimin e tij, por gjykata nuk e pranoi kërkesën. Po ashtu, u refuzua edhe kërkesa për liri e bashkëpunëtorit të tij, Ermal Kurtulaj.

Të dy ndodhen në burg që prej korrikut 2024, në kuadër të hetimeve për abuzime me fondet e Bashkimi Evropian në strukturën SASPAC.

Sipas SPAK, Beqaj dyshohet se ka urdhëruar kryerjen e prokurimeve fiktive gjatë viteve 2022-2023, duke shkelur rregullat e projekteve të BE-së. Hetimet sugjerojnë se fondet përfundonin në përfitim personal, ndërsa procedurat realizoheshin vetëm në letër.

Ndaj tij rëndojnë disa akuza, përfshirë korrupsionin pasiv, shkeljen e barazisë në tenderë, falsifikimin e dokumenteve dhe mosdeklarimin e pasurisë.

Paralelisht, Beqaj po përballet edhe me një tjetër proces gjyqësor për çështjen e njohur si “Sterilizimi”, ku janë vendosur masa sekuestroje mbi pasuri dhe llogari bankare.

Hetimet për të dyja çështjet vijojnë, ndërsa gjykata ka vendosur që ai të mbetet në paraburgim deri në një vendim të mëtejshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related