GJKKO pritet të shqyrtojë kërkesën e Erion Veliajt lidhur me denoncimin anonim “Nesti Angoni”

Data

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pritet të shqyrtojë ankimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon nisjen e një hetimi penal në lidhje me dokumentin e depozituar në emër të personazhit anonim “Nesti Angoni”.

Sipas kërkesës së Veliajt, dokumenti që, sipas tij, ka shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duhet të verifikohet për autenticitetin dhe mënyrën e administrimit. Ai kërkon gjithashtu identifikimin e personit që fshihet pas emrit “Nesti Angoni” dhe hetimin e pretendimeve për falsifikim dokumentesh.

Më herët, Prokuroria e Tiranës vendosi të mos regjistrojë procedim penal, duke argumentuar se emri “Nesti Angoni” nuk rezulton në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile dhe se institucioni nuk ka kompetencë të shqyrtojë veprimet procedurale të SPAK-ut. Ky vendim u ankimua nga Veliaj, ndërsa më 15 korrik Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen për shqyrtim GJKKO-së.

Në materiale mediatike dhe deklarata publike janë artikuluar pretendime dhe aludime mbi identitetin e mundshëm të personit që fshihet pas emrit “Nesti Angoni”. Deri në publikimin e këtij materiali, këto pretendime nuk janë mbështetur me prova publike dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet kompetente.

Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Erion Veliajt në GJKKO vijon veçmas kësaj procedure. Çështja që lidhet me “Nesti Angonin” pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Erjon Çela, ndërsa ende nuk është bërë publike data e seancës së parë.

Sqarim: Procedurat gjyqësore janë në vijim. Pretendimet e palëve do të vlerësohen nga organet kompetente, ndërsa personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related