Në Gjermani ka reagime të shqetësuara pas bisedës telefonike të Donald Trump dhe Vladimir Putin për Ukrainën. Në Berlin shprehen të shqetësuar me ecurinë e këtij procesi.
“Është një skenar apokaliptik. Negociatat po zhvillohen këtu pa ukrainasit dhe evropianët,” tha për të përditshmen Bild, Karlo Masala, profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin Bundeswehr në Mynih, duke komentuar bisedimet midis presidentit tëSHBA Donald Trumpdhe presidentit rus Vladimir Putin. Ai ka frikë se përfaqësuesit evropianë “nuk do të kenë vend në tryezën e bisedimeve” dhe se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ukrainasit.
Masala beson se tërheqja e paralajmëruar e SHBA nga zhvillimet në Ukrainëështë “gjëja më e mirë që mund t’i ketë ndodhur Putinit”. “Forcat paqeruajtëse evropiane nuk do ta pengojnë Putinin të bëjë një përpjekje tjetër për të pushtuar pjesën tjetër të Ukrainës brenda pak vitesh”, tha eksperti ushtarak.
Asnjë imponim i paqes
Politikanët gjermanë nuk bëjnë parashikime të tilla apokaliptike, por këmbëngulin se Ukraina dhe Evropa nuk duhet të injorohen kur negociatat janë duke u zhvilluar. Por ata gjithashtu theksojnë me kujdes rolin e rëndësishëm të SHBA-së në çdo paqëruajtje të ardhshme në Ukrainë.
“Gjëja më e rëndësishme tani është të mos i imponojmë paqen askujt”, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz në një intervistë për Politico. Ai gjithashtu theksoi se çdo zgjidhje e ardhshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për garancitë e sigurisë për Ukrainën, nuk do të jetë e mundur pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ai theksoi se çdo diskutim rreth pjesëmarrjes dhe përbërjes së forcave të mundshme paqëruajtëse në Ukrainë është aktualisht “i parakohshëm”.
