Protesta e 21 Janarit ishte reaksioni i një zemërimi popullor pas publikimit të një video-skandali, ku shfaqej Ilir Meta, në atë kohë zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm, ku shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me pasuritë publike në zyrën e Dritan Priftit. Videoja u publikua në 11 janar, çka solli polarizimin e skenës politike në Tiranë. Partia Socialiste ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkoheshin një proteste në 21 Janar. Sigurisht që PS-ja e përdori për interesat e saj politike situatën, por vrasjet janë krimi më i rëndë që nuk justifikohet në asnjë rrethanë.
Po çfarë ndodhi mesditën e 21 Janarit 2011? Një nga gazetarët që u plagos në atë protestë është Fatos Mahmutaj, i cili tashmë ka marrë azil dhe jeton prej vitesh në Belgjikë. Në një intervistë për “Abc News”, ai ka treguar momentin e tmerrshëm kur mbeti i dëmtuar nga plumbat dhe se si u vra Hekuran Deda ngjitur tij. Po ashtu Mahmutaj ka thënë se shumë prova nuk u hetuan nga drejtësia e vjetër. Ai përmend edhe një dëshmi që e ka dhënë ai vite më parë të shoqëruar me një skicë që ndodhet në dosje.
-Zoti Mahmutaj, SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet për ngjarjen e “21 Janarit”, por Fatos ti je një nga gazetarët ku në krye të detyrës ke mbetur i plagosur në këtë ngjarje. Si e mbani mend atë moment?
Kanë qenë 2 persona të cilët kanë qëlluar drejt grupit ku isha unë. Më pas njëri u identifikua si Agim Llupo, të cilët kanë qëlluar drejt grupit ku isha unë. Agim Llupo qëllonte nga ajo që dukej si dritare, ishte dera e bodrumit të Kryeministrisë, flaka e armës e cila ishte e drejtuar drejtë grupit ku isha unë dhe në të njëjtin moment është qëlluar nga sipër Kryeministrisë nga shefi i sigurisë, Arjan Adhami dhe ka qëlluar me pistoletën e Andrea Prendit, me pistoletën e shefit të Gardës. Pra janë dy persona të cilët kanë qëlluar por gjasat janë se në momentin e plagosjes dëgjova disa plumba në trungun e pishës që ishte mbrapa meje e ishte jo më larg se 50-70 cm nga veshi im. Pra gjasat janë që është që plumbi ka ardhur pasi ka qëlluar Agim Llupo.
-Kush të plagosi ty?
Në pozicionin ku ndodhesha unë, është qëlluar nga dy drejtime të ndryshme. Të paktën të dyja këto unë i kam fiksuar, kam fiksuar dhe flakën e armëve që vinte drejt meje. Pra, gryka e armës e drejtuar nga grupi ku ndodhesha unë dhe flaka që shoqëron plumbin që vinte drejt meje. Është qëlluar nga dy pozicione, e para nga hyrja e bodrumit të Kryeministrisë, atje ku ishte pozicionuar gardisti Agim Llupo. Ndërkohë nga sipër Kryeministrisë ka qëlluar dikush duke drejtuar dorën poshtë dhe duke qëlluar drejt nesh. Më pas mësova që ky ishte shefi i Sigurisë së Berishës i quajtur Arjan Adhami që qëllonte me pistoletën e Andrea Prendit, shefit të Gardës. Gjasat janë që drejt meje dhe grupit ku ndodhesha unë dhe u vra dhe dibrani Hekuran Deda, ka qëlluar Agim Llupo sepse në të njëjtin moment që ndjeva plumbin që përshkroi dorën time, ndjeva dhe breshërinë që goditi në trungun e pishës, e cila ndodhej në një distancë 70-80 cm pas kokës sime. Aty ishte ajo zhurma tipike e breshërisë, janë 5 plumba të cilat godasin në mënyrë të menjëhershme në trungun e pemës. Gjasat janë që jemi qëlluar prej Agim Llupos sepse edhe drejtimi e pozicioni. Nëse do bëhej një eksperiment me 21 Janar do merrej vesh qartë kjo punë se kush e kishte bërë, do ishte sqaruar por ne jemi 13 vite e gjysëm mbrapa me vonesë për ta sqaruar këtë gjë. Gjithsesi gjasat janë se jemi qëlluar nga gardisti Agim Llupo.
-A ke patur presione Fatos për të mos folur dhe a ke besim se SPAK do shkojë drejtë të vërtetës?
Sigurisht që për shkak të presioneve dhe të çështjes së 21 Janarit unë përfundova azilant në Belgjikë. Për t’i dalë deri në fund kësaj çështje, një dëshmi e imja e shoqëruar me një skicë ndodhet në dosje. Ajo mesa di unë nga procesi gjyqësor i cunguar më përpara, nuk është përdorur fare kjo dëshmi e imja por gjithsesi do të isha gati në cilëndo pikë të hetimit për të ndihmuar aq sa të mundëm. Por jam pesimist për këtë çështje pasi gjithçka çfarë urdhëroi Gjykata e Strasburgut dhe Gjykata e Lartë, ishte diçka shumë e thjeshtë që mund të bëhej kryesisht nga një prokuror i gatshëm në Prokurorinë e Tiranës. Jemi 13 vite e gjysëm me vonesë, si dhe me urdhër nga Gjykata ndërkohë që gjithçka duhej të bëhej kryesisht nga prokurori i gatshëm i Krimeve të Rënda apo prokurorët e gatshëm të Tiranës. Ta transferonin çështjen direkte te Krimet e Rënda. Kjo çështje është shumë e pastër, mjafton të merren pamjet që janë transmetuar atë ditë në televizionet shqiptare dhe çështja është totalisht e zbardhur.
Dallohet kush ka qëlluar, dallohet si ka qëlluar, dallohet pse kanë qëlluar të gjithë në të njëjtin moment. Gardistët asnjë moment nuk ishin të rrezikuar. Nëse do të mendohej se ata do të ishin të rrezikuar ishin të rrezikuar 2 orë më përpara se të qëllonin, kur protestuesit me një stimulim nga Shërbimi Sekret apo Policia Shqiptare goditën një Mercedez, e shqyen portën e Kryeministrisë dhe protestuesit hynë brenda e nuk bënë asgjë. Shkuan deri te rrethimi, dogjën palmën e famshme dhe më pas ikën e dolën jashtë. Në momentin kur njerëzit u qëlluan, protesta kishte mbaruar. Po te vini re nga pamjet, pjesa më e madhe e protestuesve ishin kthyer me kurriz nga Kryeministria, pra ishin duke u larguar dhe nuk kishte ndonjë kureshtar që po shikonte se çfarë po ndodhte. Rreth 10 minuta më para se të qëllohej Policia u shpartallua aty ku dikur ndodhej ‘Bar Mumja’. Protestuesit nga sipër dhe poshtë Piramidës përballuan sulmet me plumba gome, pra Policia qëlloi me plumba gome mbi protestuesit por të qenë të veshur trashë në një ditë dimri me xhupa, ato nuk bënë asnjë lloj dëmi saçmat e gomës dhe për më tepër njerëzit qëlluan nga sipër Kryeministrisë me pllaka mermeri dhe e shpartalluan komplet Policinë.
Aty është momenti që policia u shpartallua. Pika e fundit, ata ishin pasiv, ishin policët të cilët bënin roje dhe ruanin perimetrin e sigurisë midis Piramidës dhe Kryeministrisë, aty ku janë bredhat e mëdhenj. Ishin vendosur furgonat Iveco të Policisë, furgonat e grupeve të Gatshme dhe të Forcave Speciale. Protestuesit duke triumfuar ndaj Policisë, pak më sipër ‘Bar Mumja’, te Piramida, zbriten drejt poshtë, i vunë flakën furgonave dhe Policia mori fund, aty përfundoi protesta dhe njerëzit filluan të shpërndahen. Momentin që po ktheheshin e po shpërndaheshin, në mënyrë të befasishme, kanë qëlluar njëherësh të gjithë gardistët. Pjesa më me madhe e tyre në ajër, pra unë i kisha pak metër, aq metra sa gjerësia e bulevardit dhe 2-3 metër trotuar brenda rrethimit të Kryeministrisë, pra diku te 15 metër larg. Të gjithë kanë qëlluar në ajër.
-A mendoni se ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, do të ndihmojë drejtësinë, ku në një deklaratë tha se nuk ka qenë ai që ka dhënë urdhrin për vrasje por nuk ka patur as rol në fshirjen e serverëve…
Për të dyja këto ai ka thënë të vërtetën, sepse me thënë të drejtën, mund të më thoni nga 2005-a e deri më sot, 13 vite në politikë, çfarë urdhri ka dhënë Lulzim Basha. Pra, kjo është e vërtetë që ai nuk ka dhënë urdhër, as për thyerjen e hardisqeve pasi hardisqet janë hequr dhe janë ndërruar e janë vënë hardisqe të tjerë. Lulzim Basha meriton të jetë pjesë e dosjes së 21 Janarit për shkak të mos veprimeve dhe jo të veprimeve. Pra, kishte për detyrë të kryente ca veprime të cilat nuk i kreu e për këtë shkak sepse edhe mos veprimi është vepër penale. Dhe ai ka bërë nga mos veprimi dhe të paktën moralisht nëse i ka mbetur moral, duhet të shkojë dhe të dëshmojë e të tregojë, ato çfarë ka parë dhe ato çfarë ka dëgjuar dhe çfarë është vepruar në 21 Janar. Ndërkohë, përgjegjësia direkte për vrasjet e 21 Janarit, nuk i mbetet kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha por i mbetet personalisht zotit Berisha. Jo në statusin e kryeministrit por në statusin personal të tij, sepse nuk kanë për kusur shqiptarët të akuzojnë një qeveri, të akuzojnë një pjesë politike, të akuzojnë një institucion të tyre, por përgjegjësia është personale e zotit Berisha, urdhri është personal i zotit Berisha. Nuk është krim shtetëror por është krim personal.
