Ish-zëvendëskomandanti dhe komandanti në detyrë i Forcës Detare dhe Rojes Bregdetare, Artur Meçollari ka nxjerrë detaje “bombastike” nga aferat e pronave në ushtri. Në një intervistë për gazetën Meçollari ka treguar se si nisën denoncimet , pengesat dhe presionet ndaj tij për të mbyllur gojën dhe të gjithë zyrtarët e lartë që janë të implikuar dhe rrezikojnë të goditen nga SPAK.
Meçollari zbardh faktet korruptive që implikojnë zv/kryeministren Belinda Balluku, ish-ministren Olta Xhaçka, ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, presidentin Bajram Begaj, oligarkë e biznesmenë. Ai thotë se gjatë këtyre tre viteve, janë thirrur shumë personazhe “VIP” në SPAK për të dhënë llogari, si edhe prokurorët kanë sekuestruar 20 telefona.
Po ashtu, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ushtaraku i lartë Meçollari thekson se presidenti Bajram Begaj është i përfshirë pothuajse në të gjitha aferat e pronave të Forcës Detare, duke nisur nga baza detare e Sarandës, Shëngjinit dhe pronës nr. 219 në Porto Romano. Madje ai thotë se kreu i shtetit, si një person i kapur dhe lehtësisht i shantazhueshëm, u emërua në detyrën e Presidentit nga kryeministri Edi Rama.
-Kapiten Meçollari, çfarë ju shtyu të filloni të denonconit aferat e pronave në Forcat Detare?
Natyrisht, mbrojtja e interesit publik, gatishmëria, operacionaliteti dhe misioni i Forcë Detare. Forca jonë Detare është një force e vogël, me mjete me autonomi të ulët. Këto baza detare të shpërndara përgjatë gjithë bregdetit i shërbejnë asaj për përmirësimin e mbështetjes logjistike dhe rritjes së autonomisë. Ato janë thelbësore për një gatishmëri dhe operacionalitet të pranueshëm për përmbushjen e misionit të Forcës Detare dhe Rojes Bregdetare. Mbrojtja e vendit, ushtrimi i sovranitetit të Shtetit Shqiptar, si dhe shpëtimi i jetës njerëzore në det dhe nga deti, janë interesi më i lartë publik. Gjatë kohës që kam kryer detyrën e zëvendëskomandantit dhe komandantit në detyrë të Forcës Detare, zyrtarisht kam kundërshtuar dhënien me qira dhe koncesion të bazës detare të Sarandës, kundërshti që kanë qenë më të thella, sidomos me Ministren Xhaçka.
Në nëntor 2019 Znj. Xhaçka më kërkoi një pjesë të bazës së Kepit të Palit për familjarët e saj, për të cilin në vitin 2012, në qeverisjen e Sali Berishës dhe Arben Imamit, për shkak të kundërshtive më kishin liruar për herë të parë nga FA. Mbas lirimit tim nga detyra më 7 gusht 2020 dhe nga Forcat e Armatosura më 11 shtator 2020, më 21 dhjetor 2020 me anë të një letre rreth 21 faqe vura në dijeni KM Rama mbi korrupsionin që kishte përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Në letër u përfshi edhe korrupsioni me bazën detare të Sarandës, Shëngjinit dhe prona të tjera të Forcës Detare. Kjo letër iu dërgua për dijeni dhe Ambasadores Yuri Kim. Në fakt, më parë, më 9 nëntor 2020, KM Rama, në një takim në zyrën e tij, u informua për korrupsionin në FA nga Ambasadorja e SHBA znj. Yuri Kim. Pasi prita rreth tre muaj, dhe KM jo vetëm që nuk ktheu më përgjigje, por nuk ndërmori asnjë veprim konkret institucional për të luftuar korrupsionin, në mars 2021 ju drejtova me dy kallëzime penale SPAK-ut dhe njëkohësisht i bëra publike.
Kallëzimin e parë në SPAK e kam bërë në fund te marsit 2021, për bazën detare të Sarandës. Në muajin prill 2021 u regjistrua si dosje hetimore me nr 108/2021 dhe në korrik 2022 kam bërë një kallëzim shtesë. Po ashtu, në fillim të prillit 2021 kam bërë një kallëzim të dytë në SPAK për bazën detare të Shëngjinit, hetim i regjistruar në muajin prill 2021 me nr. 109/2021. Këto dy kallëzime janë bërë ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Olta Xhaçka, ish Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të FA Bardhyl Kollçaku dhe Bajram Begaj, si dhe disa oficereve komandues Sot, këto dy hetime përfshinë gjashtë çështje: kontratën e qirasë me “Marina Bay Saranda”, kontratën koncesionare me “Marina Limion”, dorëzimin e bazës detare të Sarandës, zaptimin dhe ndërtimin pa leje në pronën nr. 219 në Porto Romano, ndërtimin i objektit katërkatësh në bazën e Shëngjinit, si dhe procedura e nxjerrjes nga Plani i Vendosjes dhe Përhapjes të 133 ha nga 200 ha të katër bazave detare.
Për tre prej tyre SPAK ka nisur hetimin kryesisht. Sot, mbas mbi tre vjet hetime, SPAK ende nuk deklaron cilët janë personat nën hetim. Por dihet se është vendosur nën sekuestro preventive baza detare e Sarandës prej 4 ha, si dhe nëntë prona prej 66,4 ha në bazën detare të Shëngjinit. SPAK ka marrë në pyetje mbi 25 ushtarakë dhe civilë, duke përfshirë dhe zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë të FA dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu për shkak të këtij hetimi janë sekuestruar rreth 20 telefona celularë në FA. Eksperienca ime, si ish Drejtor i Inspektimit dhe Antikorrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes, më ka treguar se ankimimi administrativ është i domosdoshëm përpara një kallëzimi penal. Kjo pasi kundërshtia mund të zgjidhet administrativisht, por dhe i heq palës tjetër mundësinë e pretendimeve në një proces penal. Kjo është arsyeja që sot KM Rama nuk flet dhe nuk mund të flasë as nesër për “kumbulla dhe dardha të ngrëna pas kurrizit të tij”, pasi është vënë në dijeni në kohën e duhur, si nga Ambasadorja Kim edhe nga unë.
-A keni hasur në ndonjë pengesë ose presion gjatë kohe që keni denoncuar aferat?
Natyrisht. KM Rama, autoritetet e larta të FA dhe Ministrisë së Mbrojtjes, oligarkët e përfshirë, si dhe shume persona të prekur nga kundërshtitë e mia dhe hetimet, nuk ma harrojnë. Fillimisht më liruan nga detyra në Forcën Detare. Pas një muaji më liruan edhe nga FA, nëpërmjet një procesi të fabrikuar dhe manipuluar, të drejtuar nga ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bajram Begaj, me përfshirjen e Olta Xhaçkës dhe Bardhyl Kollçakut (edhe pse në lirim) dhe natyrisht me miratimin e Edi Ramës. Pas lirimit tim nga FA, strukturat e FA me urdhër të Bajram Begajt më kanë bërë tre kallëzime penale dhe një padi civile, të cilat pothuajse janë humbur nga FA me vendime të disa gjykatave. Po ashtu, në dhjetor 2020 Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka shpallur absolutisht të pavlefshëm dy urdhra të Olta Xhaçkës dhe dy urdhra të Bajram Begajt, si pjesë e procesit administrativ të lirimit tim nga FA dhe detyrimin e rikthimit tim në FA. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm e ankimuan vendimin dhe aktualisht çështja është në Gjykatën e Administrative të Apelit në pritje të shqyrtimit.
Po ashtu, kohe më parë kam patur dhe presione të karakterit financiar, me heqje nga puna të familjarëve, telefonata anonime, oferta dhe shantazhe, por që natyrisht nuk kanë dhënë rezultat. Dy vitet e para mbas lirimit nga FA nuk jam paguar me pagesën kalimtare si ushtarak. KM Rama, nëpërmjet Z. Agaçi, pas ankimit administrativ më bëri një ofertë për ti shërbyer si këshilltar i sigurisë kombëtare. E pranova ofertën me kusht rikthimin tim në FA. Z. Rama e pranoi dhe për këtë Z. Peleshi nisi procedurat e rikthimit. Por, nën presionin e Olta Xhaçkës, Bajram Begajt dhe disa oligarkëve KM Rama ndryshoi mendje. I gjithë ky presion ndaj meje dhe familjes time ka patur vetëm një qëllim, HESHTJEN TIME. Kjo periudhë katërvjeçare ka qenë e vështirë për mua, por sidomos për familjen time. Gjithsesi drejtësia do të triumfojë.
