Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit, një nga garat më të ndjekura zhvillohet në Mat, ku qytetarët do të votojnë për kryetarin e ri të bashkisë pas dorëheqjes së ish-kryebashkiakut Agron Malaj, tashmë deputet i Kuvendit.
Në këtë garë janë përballë tre kandidatë me profile të ndryshme: Altin Bojni, ekonomist dhe ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, që përfaqëson Partinë Socialiste; Eduart Brahilika, jurist dhe kandidat i mbështetur nga Partia Demokratike; si dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e forumit të grave socialiste, që kandidon si e pavarur.
Arsyet që i kanë shtyrë të kandidatët në garë janë të ndryshme. Bojni kërkon të vazhdojë punët e nisura dhe stabilitetin në drejtimin e bashkisë, Eduart Brahilika synon ndryshim rrënjësor në mënyrën e qeverisjes dhe përfshirjen e qytetarëve, ndërsa Suzana Pasha garon për të rikthyer besimin te politika si shërbim ndaj njerëzve.
“Dua të vazhdoj punët e nisura për Matin,” thotë kandidati socialist Altin Bojni, që kërkon të ruajë vijimësinë në drejtim.
Por ndërsa mazhoranca kërkon vazhdimësi, opozita kërkon një kthesë të fortë. “Kërkoj një ndryshim në të gjitha dimensionet e drejtimit, në mënyrën e të menduarit dhe të qeverisurit, përtej ndarjeve dhe frikës së pushtetit, një qasje që përfshin qytetarët në vendimmarrje, në mënyrë që secili ta ndjejë Matin si vendin ku dëshiron të jetojë e të rrisë fëmijët e vet,” kundërpërgjigjet kandidati i opozitës Eduart Brahilika.
E vendosur mes dy kampeve të mëdha politike, kandidatja e pavarur Suzana Pasha thekson se, mandati që do dalë nga zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak, edhe pse i pjesshëm, nuk i kufizon aspiratat e saj, nëse zgjidhet si qytetare e parë.
“Ky mandat, sado i shkurtër, është një mundësi për të rikthyer besimin te qytetarët dhe për t’u treguar njerëzve se politika mund të jetë shërbim, jo pushtet,” tha ajo.
Vizione të ndryshme
Bashkia e Matit, e shtrirë në një zonë kodrinore e malore me traditë minerare që nga koha e komunizmit, ku qyteti i Burrelit u ndërtua si bazë për fabrikën e pasurimit në Komsi, është sot e njohur për burimet e shumta ujore dhe për ndërtimin e disa hidrocentraleve të vegjël krahas atyre të mesëm të periudhës socialiste.
Edhe pse tradicionalisht konsiderohet si një zonë e djathtë, Bashkia e Matit është kontrolluar politikisht nga Partia Socialiste që prej vitit 2011.
Të pyetur nga BIRN për tre problemet më urgjente që do të kërkojnë të zgjidhin gjatë mandatit të shkurtër, kandidatët për Bashkinë e Matit japin përgjigje që reflektojnë vizione të ndryshme për drejtimin e zonës.
Altin Bojni, kandidati i Partisë Socialiste, e sheh situatën në bashki si të qëndrueshme dhe pa emergjenca të theksuara.
“Burreli ka furnizim me ujë 24 orë në ditë dhe të gjitha qendrat administrative janë tashmë të lidhura me rrugë asfaltike,” thotë ai.
Bojni premton se, në dy vitet e ardhshme, do të asfaltohen edhe 35-40 kilometra rrugë të tjera për të lidhur çdo fshat me infrastrukturë bashkëkohore dhe paralelisht do të përmirësohet rrjeti i ujësjellësit në disa zona rurale.
“E urgjente është të vazhdojmë me të njëjtin ritëm investimet në 80 projektet e nisura,” shton ai.
Në krahun tjetër, Eduart Brahilika, kandidati i opozitës i mbështetur nga Partia Demokratike, vendos theksin te transparenca dhe menaxhimi i fondeve publike.
“Tre prioritetet e mia do të jenë transparenca me buxhetin, investimet e prekshme dhe reale, larg propagandës,” deklaron ai, duke e akuzuar administratën aktuale për mungesë llogaridhënieje.
Ndërsa Suzana Pasha, kandidatja e pavarur, e përqendron programin e saj në nevojat bazë të komunitetit.
“Së pari, furnizimi me ujë të pijshëm për zonat që ende vuajnë mungesën e tij; së dyti, menaxhimi i mbetjeve dhe pastrimi i qytetit, që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e familjeve; dhe së treti, punësimi i grave dhe të rinjve,” thotë ajo, duke theksuar se “një familje e qëndrueshme është themeli i një komuniteti të fortë.”
