Franca ka organizuar një takim të jashtëzakonshëm me vendet e G7, në një përpjekje për të adresuar krizën e shkaktuar nga lufta në Iran dhe pasojat e saj në ekonominë globale.
Takimi, i cili zhvillohet përmes video-konference, mbledh për herë të parë në një format të tillë ministrat e financave, energjisë dhe drejtuesit e bankave qendrore të vendeve më të industrializuara në botë. Sipas ministrit francez të ekonomisë, Roland Leskier, kjo është një situatë e paprecedentë në dekadat e fundit.
Qëllimi kryesor i mbledhjes është të analizohet përshkallëzimi i konfliktit dhe ndikimi i tij në tregjet globale, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe furnizimin me naftë.
Një nga shqetësimet kryesore mbetet bllokada në Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar mbështetjen e aleatëve për të adresuar këtë situatë dhe për të garantuar rrjedhën e furnizimeve globale.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo ndërprerje e zgjatur në këtë zonë mund të çojë në rritje të fortë të çmimeve të energjisë, inflacion dhe tronditje ekonomike në shkallë globale.
Ky takim shihet si një përpjekje e koordinuar për të shmangur një krizë më të thellë ekonomike, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten.
