Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u ka bërë thirrje publike socialistëve që në mbledhjen e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në një emision televiziv, Malaj e cilësoi mbledhjen si një moment reflektimi për PS-në, duke theksuar se është një mundësi për të vendosur interesin e vendit mbi atë partiak. Ai e krahasoi situatën aktuale me periudhën e vitit 2005, kur partia, sipas tij, përjetoi ndryshime të rëndësishme të brendshme.
Malaj argumentoi se mesazhet nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe Bashkimi Europian tregojnë se çdo pengim i drejtësisë është i papranueshëm dhe mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ai paralajmëroi se mungesa e një reagimi politik mund të krijojë pengesa serioze në negociatat me BE-në, ndërsa shtoi se brenda grupit parlamentar socialist mund të ketë deputetë që do të vendosin sipas ndërgjegjes së tyre në çështje të rëndësishme ligjore dhe kushtetuese.
