Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj zhvillimeve të fundit në Partia Demokratike, duke lëshuar kritika të forta ndaj ish-deputetit Ervin Salianji.
Në një postim në Facebook, Kokalari deklaron se opozita shqiptare nuk mund të drejtohet nga persona që, sipas saj, “sapo dolën nga burgjet” dhe që përpiqen të imitojnë Sali Berisha.
“Së shpejti do ta marrim opozitën, jo ata që sapo dolën nga burgjet e filluan të imitojnë Berishën edhe te ‘dredhja’ e dy gishtave demokratikë”, shkruan ajo.
Sipas Kokalarit, opozita duhet të udhëhiqet nga njerëz që prej vitesh luftojnë për votën e lirë dhe kundër manipulimit brenda PD-së.
“Opozita do të merret nga ata që kanë pesë vjet që luftojnë Berishën për të ruajtur të drejtën më themeltare të çdo anëtari të PD-së: votën e lirë dhe të pamanipuluar”, vijon reagimi i saj.
Ajo përdori gjithashtu tone të ashpra ndaj figurave të opozitës, duke e cilësuar situatën politike si një “clown show”.
“E gjithë lufta e burgaxhinjve të shkuar dhe atyre të ardhshëm është kthyer në një ‘clown show’ dhe ja kështu e kupton në duart e çfarë niveli njerëzish ka rënë politika shqiptare”, shprehet Kokalari.
Në fund të reagimit, ajo apeloi për reflektim mbi gjendjen e vendit dhe emigracionin masiv.
“Sot, për Bajram, ju ftoj të gjithëve t’i luteni Zotit të shpëtojë kombin, sepse së shpejti aq pak sa kemi ngelur, s’do jemi më”, shkruan ajo.
Kujtohet se si Evi Kokalari ashtu edhe Ervin Salianji kishin shprehur ambicie për të kandiduar për kreun e Partisë Demokratike, por aplikimet e tyre nuk u pranuan në procesin zgjedhor të partisë.
