Euronews: Rama akuzon Iranin për dezinformim ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë në Shqipëri

Data

Media evropiane Euronews i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, duke raportuar mbi protestat e vazhdueshme kundër qeverisë dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me atë që ai e konsideron një fushatë dezinformimi të nxitur nga Irani.

Sipas raportimit, Rama ka përsëritur akuzat se sulmet kibernetike dhe operacionet e propagandës me origjinë nga Irani po përdoren për të përhapur dezinformim dhe për të nxitur tensione politike në vend.

“Regjimi juaj mund të hakojë rrjetet, të censurojë kritikët dhe të shpikë justifikime për dështimet e tij, por nuk mund t’i shpëtojë realitetit përgjithmonë”, citohet të ketë deklaruar kryeministri shqiptar në një reagim publik.

Ndërkohë, protesta që nisi fillimisht kundër projektit të zhvillimit turistik në zonën e Pishe Poros dhe ishullit të Sazanit është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare. Demonstruesit kanë zgjeruar axhendën e tyre duke kërkuar ndryshime politike, ligjore dhe institucionale.

Euronews thekson se protestat kanë marrë një karakter kombëtar, me pjesëmarrje jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe në komunitetet shqiptare jashtë kufijve. Në tubimet e fundit janë dëgjuar slogane kundër qeverisë, por edhe kundër figurave kryesore të opozitës, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sipas organizatorëve, protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit të investitorëve strategjikë, tërheqjen e Paketës Malore, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Nga ana tjetër, qeveria argumenton se projektet e investimeve në bregdetin shqiptar përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, rritjen e turizmit elitar dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.

Raportimi ndalet edhe te reagimi i Komisionit Evropian, i cili u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë standardet mjedisore të Bashkimit Evropian dhe të shmangin çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Sipas Euronews, organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara dhe se presioni qytetar do të vazhdojë deri në marrjen e një përgjigjeje politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related