Protestat kundër qeverisë në Tiranë kanë hyrë në ditën e 26-të, ndërsa zhvillimet e fundit po tërheqin vëmendje edhe në nivel europian. Paralelisht me vijimin e tubimeve qytetare, një delegacion i Grupit të të Gjelbërve/European Free Alliance (Greens/EFA) në Parlamentin Europian pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri nga 29 qershori deri më 1 korrik.
Mes eurodeputetëve që do të marrin pjesë në këtë vizitë është edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se do të jetë e pranishme në protestën e 29 qershorit në Tiranë.
Sipas njoftimeve, delegacioni europian do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve shqiptare, organizata mjedisore dhe banorë të zonave të prekura nga projektet që kanë nxitur debat publik dhe protesta.
Vizita vjen në një periudhë kur protestat kundër qeverisë vijojnë çdo ditë në kryeqytet, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me një tubim të radhës të planifikuar për 29 qershor.
