Një ndërprerje e papritur e energjisë elektrike ka përfshirë San Franciskon, duke lënë rreth 130 mijë banorë pa furnizim me rrymë. Situata është konfirmuar nga kompania e energjisë që operon në qytet, e cila po punon për identifikimin e shkakut dhe rikthimin e shërbimit.
Si pasojë e “blackout”-it, disa semaforë kanë dalë jashtë funksionit, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullimin rrugor, ndërsa edhe transporti publik raportohet se po përballet me probleme. Për këtë arsye, autoritetet lokale kanë ngritur alarmin për sigurinë publike.
Kryebashkiaku i San Franciskos, Daniel Lurie, u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin çdo lëvizje të panevojshme dhe të qëndrojnë në shtëpi deri në normalizimin e situatës. Ai theksoi se policia do të jetë e pranishme në kryqëzimet kryesore për të menaxhuar trafikun dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Nëse nuk keni nevojë të udhëtoni, ju lutemi të qëndroni në shtëpi. Siguria është prioriteti ynë kryesor”, deklaroi kryebashkiaku.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ekipet teknike janë në terren dhe se informacione të reja do të bëhen publike sapo të ketë zhvillime mbi shkakun dhe kohën e rikthimit të energjisë elektrike.
