Ka nisur seanca e dytë gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në GJKKO, ku ai përballet me akuza së bashku me 29 të bashkëpandehur të tjerë.
Edhe këtë herë, Veliaj nuk është paraqitur fizikisht në sallën e gjyqit, duke zgjedhur të përfaqësohet nga mbrojtja ligjore. Fillimisht ai është përfaqësuar nga avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku, ndërsa mësohet se ka kërkuar që të përfaqësohet nga avokati i tij i ri, ish-deputeti Plarent Ndreca.
Në seancë janë të pranishëm edhe prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, të cilët po ndjekin procesin gjyqësor.
Sipas burimeve, vetë Veliaj ka kërkuar të mos jetë i pranishëm në këtë seancë dhe të përfaqësohet nga avokati i tij, një kërkesë që është bërë e ditur përmes deklaratës së tij.
Procesi gjyqësor pritet të vijojë me shqyrtimin e provave dhe dëshmive, ndërsa çështja konsiderohet një nga më të rëndësishmet që po trajtohen aktualisht nga drejtësia shqiptare.
