Sot, Apeli i Posaçëm do të shqyrtojë kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Çështja i është caktuar për shqyrtim gjyqtares Nertina Kosova.
Veliaj ka ankimuar vendimin e 1 shkurtit për vijimin e arrestit, duke kërkuar një masë më të butë, përfshirë garanci pasurore apo çdo alternativë tjetër ndaj qëndrimit në qeli. Apeli do të vlerësojë nëse plotësohen kushtet ligjore për ndryshimin e masës.
Argumentet e mbrojtjes
Sipas mbrojtjes, kalimi i çështjes për gjykim tregon se nuk ekziston më rrezik për prishje provash. Veliaj ka pretenduar në seancat e mëparshme se i është mohuar e drejta për mbrojtje efektive, pasi – sipas tij – nuk është njohur plotësisht me dosjen hetimore.
Ai ka refuzuar gjithashtu avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata, duke argumentuar se përfaqësimi i saj nuk pasqyron strategjinë dhe vullnetin e tij.
Akuzat e SPAK
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza, mes të cilave:
- korrupsion pasiv (në 9 raste),
- pastrim parash,
- mosdeklarim pasurie,
- shpërdorim detyre,
- futje sendesh të ndaluara në burg.
Sipas organit të akuzës, përfitimet e dyshuara lidhen me leje ndërtimi dhe fonde publike të dhëna nga Bashkia Tiranë në favor të subjekteve të caktuara.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.
Vendimi i Apelit pritet të përcaktojë nëse kryebashkiaku do të vijojë të qëndrojë në paraburgim apo do të përfitojë një masë më të lehtë sigurie.
