Erion Braçe ngre alarmin për Tiranën: Bashkia ka probleme serioze në qeverisje, qyteti nuk po administrohet

Data

Deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se Tirana po përballet me probleme serioze qeverisjeje, duke theksuar se kryeqyteti aktualisht “as nuk po qeveriset dhe as nuk po vetëqeveriset”.

Në një intervistë televizive, Braçe foli për mundësinë e kandidimit të tij për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa sqaroi se synimi i tij nuk lidhet me një emërim politik apo “qokë”, por me nevojën për një proces të hapur që përfshin energjinë e socialistëve të kryeqytetit.

“Pas zgjedhjeve të vitit që shkoi dhe pas muajve të fundit, është evidente që Tirana as po qeveriset dhe as po vetëqeveriset. Kur Tirana nuk qeveriset, kemi një problem shumë të madh”, deklaroi Erion Braçe.

Ai shtoi se problematikat e qytetit i has çdo ditë në zona dhe njësi të ndryshme administrative, duke e konsideruar situatën shqetësuese për funksionimin e kryeqytetit.

Braçe theksoi se kërkon një garë reale dhe një proces politik gjithëpërfshirës për zgjedhjen e kandidatit për Bashkinë e Tiranës.

“Ajo që kam kërkuar nuk është një qokë apo një emërim. Kam kërkuar një proces që duhet të përthithë të gjithë energjinë e socialistëve të Tiranës dhe më gjerë”, u shpreh ai.

Deputeti socialist komentoi gjithashtu debatet e fundit politike në vend, duke nënvizuar se qëndrimet e tij publike nuk kanë lidhje me tensione personale apo debate të brendshme me kryeministrin Edi Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related