“Ergys Agasi ka larguar tre ministra të Brendshëm” / Berisha: Organizoi pengmarrjen e Arben Ahmetajt nga Lugano

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat e forta ndaj qeverisë gjatë fjalës së tij në tryezën e PD-së me partitë e opozitës, shoqërinë civile dhe intelektualët, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend të kapur nga kartelet e drogës dhe të kthyer në një rrezik serioz ndërkombëtar.

Berisha deklaroi se, në kuadër të klasifikimit të karteleve të drogës si organizata terroriste, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose në të njëjtin nivel me Kolumbinë. Sipas tij, kartelet shqiptare përcaktojnë sot çmimin e drogës në Evropë dhe bashkëpunojnë drejtpërdrejt me qeverinë.

Ai përmendi edhe emra konkretë të trafikut ndërkombëtar, duke pretenduar se trafikantë të mëdhenj bashkëpunojnë me dhjetëra klane shqiptare, të cilat, sipas Berishës, kanë shtrirje jo vetëm në Evropë, por edhe në SHBA, Australi dhe Azi. Sipas tij, grupet shqiptare janë kthyer në transportuesit kryesorë të kokainës në tregjet ndërkombëtare.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se ka instaluar një “narko-diktaturë”, e cila, sipas tij, kontrollon zgjedhjet, institucionet dhe emërimet shtetërore. Në këtë kuadër, Berisha përmendi edhe Ergys Agasin, të cilin e cilësoi si një nga personat më të afërt të kryeministrit Edi Rama.

“Ergys Agasi, për llogari të bandave dhe interesave të tij, ka larguar tre ministra të Brendshëm. Ai është njeriu më i afërt i Edi Ramës dhe ka organizuar, sipas meje, edhe pengmarrjen e Arben Ahmetajt nga Lugano për shkak të denoncimeve që ky i fundit po bën,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se ministrat, drejtuesit e policisë dhe agjencive shtetërore janë, sipas tij, të lidhur me klanet e drogës, duke e cilësuar Shqipërinë si një “lavatriçe gjigante” për pastrimin e parave të drogës në Evropë.

Berisha e lidhi këtë fenomen me rritjen e jashtëzakonshme të sektorit të ndërtimit, duke pretenduar se niveli i ndërtimit në Shqipëri është disa herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, ndërsa çmimet e banesave janë në nivele shumë të larta.

Në fund, ai u ndal edhe te pasojat sociale dhe ekonomike, duke deklaruar se në dhjetë vitet e fundit mbi 43% e shqiptarëve janë larguar nga vendi, ndërsa zhvlerësimi i euros dhe politikat qeveritare, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë pensionistët dhe eksportuesit, duke i çuar shumë prej tyre drejt falimentimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related