Deputeti i Partia Demokratike, Enno Bozdo, ka paraqitur propozimet e opozitës për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, në kushtet e krizës globale energjetike.
Sipas tij, një nga masat kryesore është ulja e taksës së qarkullimit nga 27 lekë për litër në 7 lekë, çka do të sillte një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës me rreth 24 lekë për litër.
Një tjetër propozim lidhet me përdorimin e të ardhurave shtesë nga TVSH-ja në periudha kur çmimet e naftës rriten. Sipas Bozdos, këto të ardhura duhet të përdoren për të ulur akcizën në të njëjtën masë, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimin final për konsumatorët.
Ai theksoi se Shqipëria nuk është e izoluar nga zhvillimet ndërkombëtare, sidomos në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit kanë rritur presionin mbi tregjet globale të energjisë.
Sipas tij, aktualisht rreth 60% e çmimit të karburantit në Shqipëri përbëhet nga taksat, një nivel më i lartë se në shumë vende të Bashkimit Europian, ku kjo përqindje është mesatarisht rreth 50% ose më e ulët.
