Një tjetër autor është identifikuar si i përfshirë në vrasjen e ish-oficerit të Krimeve Roland Rexhepi në vitin 2009, duk e çuar në 5 numrin e personave të përfshirë në atentat. Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim Gëzim Ballën, banues në Elbasan, i cili nga hetimet rezulton si bashkëpunëtor në atentatin e bujshëm ndaj Roland Rexhepit, i njohur si ‘Doda’, që konsiderohej si krahu i djathtë i ish-komisar Edmond Kosenit, u ekzekutua me armë zjarri në prag të shtëpisë së tij ndërkohë 2 vite më pas iu vra vëllai i ‘tij Ilir Rexhepi, biznesmen i njohur në qytetin e Elbasanit. 50-vjeçari Gëzim Balla i cili tashme është shpallur ne kërkim rezulton i dënuar më parë për prodhim shitje narkotikësh si dhe anëtar i një grupi kriminal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj tij ne mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Për ekzekutimit e ish-efektivit të antidrogës, deri tani janë arrestuar 4 autorë, Marjus Tafën dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxhën, i cili u ekstradua nga Anglia dy muaj më parë. Të pestë dyshohet se në bashkëpunim kanë ekzekurtuar ish-oficerin e krimeve. Kjo vrasje është një ndër ngjarjet e bujshme që ka nisur sagën e tmerrshme të vrasjeve në Elbasan në 2 dekadat e fundit.
Si u vra Roland Rexhepi?
Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë. Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani. Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit. Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.
Prangoset 48-vjeçari
Nga ana tjetër, Policia greke ka arrestuar ditën e djeshme Ylli Vangjelajn, 48-vjeçarin nga Vlora, i shumëkërkuar nga autoritetet italiane për një vrasje të ndodhur në vitin 1999. Vangjelaj, i cili akuzohet për vrasjen e një prostitute amerikano-latine në Itali të quajtur Betty Ramirez, 20 vjeçe, kërkohej prej korrikut të vitit 2021 nga drejtësia italiane. Sipas medias CNN,gr, vrasësi shqiptar është arrestuar në Janinë. Fillimisht ai u dënua në Itali, me 22 vite e 8 muaj por u arratis dhe u kap dhe arrestua në Shqipëri në korrik 2018. Vendimi i drejtësisë italiane për dënimin e 48-vjeçarit me burg u njoh edhe nga Gjykata e Vlorës, e cila nga 33 vite burg uli dënimin për vrasësin shqiptar në vetëm 12 vite burg, por sidoqoftë ai sërish u arratis. Kështu Italia shpalli në kërkim dhe njëherë vrasësin në vitin 2021.
Ngjarja
Ylli allias Fatmir Vangjelaj u dënua me vendim të formës së prerë nga gjykata Bolonjës në 1 marsi 2003, për veprat penale “Rrëmbim personi në bashkëpunim”, “Vrasje me dashje” në bashkëpunim “Fshehja e kufomës”. Vangjelaj kishte vrarë prostitutën ekuadoriane dhe pas krimit të kryer me dy shqiptarë të tjerë, trupi i pajetë i vajzës është groposur duke sjellë dhe zhdukjen e kufomës. E reja u rrëmbye më 9 Dhjetor 1999. Më 20 shkurt 2000, kufoma e saj është gjetur përgjatë brigjeve të lumit “Po” në Monza. Ylli Vangjelaj, Robert Ziu dhe Erjon Sejdiraj, pas krimit janë larguar nga Italia, duke gjetur strehim në Belgjikë, SHBA dhe në Tiranë. I pari që është arrestuar është Robert Ziu, i cili u kap në vitin 2006 në SHBA, pas dënimit me 23 vite burgim marrë në mungesë në Itali.
