EKSKLUZIVE/ “Nuk u pendova që u largova nga Partizani, më mirë në Uzbekistan”, rrëfimi i Da Silvas: Shoh vazhdimisht golin në derbi për të kujtuar tifozët

Data

Partizani shkon në këtë derbi të së premtes ndaj Tiranës në stadiumin “Air Albania” me një “armë” më pak, që vjet rezultoi vendimtar në derbin e fundit. Viktor da Silva, me dëshirën e tij, por edhe të vetë klubit, la kampionët në muajin dhjetor, për tu transferuar te skuadra e Nasaf Qarshi në Uzbekistanin e largët. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, golashënuesi i vjetshëm i të kuqve, rrëfehet gjerë e gjatë.

Braziliani tregon dallimin e madh mes dy vendeve, teksa ndalet më së shumti te Partizani, të cilin e sheh në vështirësi. Da Silva piketon edhe “tridentin” më të frikshëm të sulmit të “demave”. 29- vjeçari nuk është aspak dakord me skemën që po aplikohet në Superiore në këtë sezon.

Viktor, si po ju shkon aventura e re në Uzbekistan?
Gjithçka po shkon shumë mirë. Gjatë kësaj kohe jam ende duke punuar për tu përshtatur me mënyrën sesi luhet futbolli këtu. Por në përgjithësi ndihem i kënaqur dhe jam i lumtur.

Cili është dallimi me Shqipërinë?
Diferenca sa i përket futbollit është shpejtësia e lojës. Këtu në Uzbekistan deri më tani intensiteti është shumë i lartë në stërvitje dhe në ndeshje. Sa i përket infrastrukturës janë shumë përpara. Nuk të lënë asnjë mangësi. Pas stërvitjes kemi në dispozicion sauna, pishinë, vaskë me akull. Të gjitha këto kushte të bëjnë të ndihesh më i qetë mendërisht. Ka gjithçka që i duhet një futbollisti. Ne na mbetet vetëm të zbresim në fushë dhe të bëjmë më të mirën.

Do ta mendonit rikthimin në Kategorinë Superiore në të ardhmen?
Jetës nuk i dihet asnjëherë. Nuk përjashtoj asgjë, sepse kam kaluar mirë në Shqipëri, ndaj do të isha lumtur nëse një ditë do të kthehesha.

Ndjeni keqardhje për largimin, do të donit të luanit në këtë derbi?
Jo, nuk jam penduar. Mendoj se cikli im në Shqipëri u mbyll me triumfin në Kategorinë Superiore. Kisha fituar thuajse gjithçka në Shqipëri, kisha arritur objektivat personale dhe ekipore dhe po kërkojë një zgjidhje për tu larguar. Fakti që isha nën kontratë ma bëri të vështirë, por isha i bindur se kisha nevojë për një sfidë të re, në një kampionat tjetër. Sa i përket derbit, ajo ndeshje ka qenë gjithnjë e veçantë. Çdokush donte ta luante, edhe nëse ishte i dëmtuar. Ata që nuk kanë luajtur në një ndeshje të tillë, nuk do t’i kuptojnë asnjëherë përjetimet e atyre betejave.

Keni luajtur disa derbe ndaj Tiranës dhe në njërin prej tyre keni shënuar gol. Çfarë mbresash ju kanë lënë ato ndeshje?
Po, shënova në derbin e fundit të sezonit të shkuar. Ajo ndeshje kishte rëndësinë e saj, pasi kishin mbetur edhe disa ditë deri në mbyllje të kampionatit. Fatmirësisht, ai gol më pas kontribuoi në fitoren e titullit kampion. Pra, është një gol special, të cilin e rishoh herë pas here, vetëm për të dëgjuar brohorimat e tifozëve pasi topi prek rrjetën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related