Duke komentuar ekipin drejtues të fushatës së PS në 12 qarqe, analisti Ben Andoni i ftuar në një studio televizive, u shpreh se socialistët e kanë marrë seriozisht mandatin e katërt, ndërkohë që PD mbetet e mbyllur ndaj një frymëmarrje të re të partisë.
“Një gjë që u mungon demokratëve, që vazhdimisht jam munduar ta apeloj, që PD duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe duhet të ketë njerëz që i kushtojnë shumë kujdes logjistikës dhe statistikave. Socialistët, veçoj këtu z.Mazniku janë të jashtëzakonshëm sa i takon kampionimeve në terren.
PD mbetet e mbyllur për një frymëmarrje të re të partisë. Ardhja e individëve të rinj, dhe tërheqja e tyre në listën e sigurt, tregon që PS e ka marrë seriozisht mandatin e katërt. Megjithatë socialistët do ta kenë të vështirë me ofertën që do paraqesin para publikut. Peshën kryesore të vendimeve e ka kryeministri, dhe këtë e kupton nga gjuha e turpit, por një konsultim të ngushtë ai duhet ta ketë.
Po mendoj që është një bërthamë afër Ramës, përgjegjës për pjesën më të madhe të vendimeve të Ramës, ndërsa tjetër thjesht ngre kartonin. Publiku do një frymë të re. Individët e PD kanë 12 vjet në opozitë dhe më shumë merren me ato që bën PS, dhe detyra e tyre kryesore është të ngjallin frymë. Më vjen mirë që po thërrasin protesta, për demaskimet që kanë bërë, por këto s’mjaftojnë kur i gjen të artikuluara nga njerëz që kanë edhe probleme të moralit politik”.
I pyetur në lidhje me emërimin e Ballës si Sekretari i ri për Diasporën, Andoni thotë:
“Edhe kjo është një lloj gjetje. Është një lloj ulje rangu për Ballën. PS ka patur struktura që merren me diasporën, i kanë listat e diasporës. Posti për z.Balla është thjesht sa për ta respektuar, se sa për ta përfshirë realisht”.
Lidhur me aksionin e PD-së për protesta deri në krijimin e qeverisë teknike, analisti thotë:
“Për z.Berisha por edhe për PS do ishte shumë mirë të kishte qeveri teknike para votimeve. Kjo s’duhet bërë me modulin e asaj që u bë në 2017-ën pas çadrës së Bashës, ku qeveria s’kishte komunikim fare me njëri-tjetrin, madje s’u mblodhën njëherë në mënyrë kolegjiale”.
I pyetur në lidhje me mungesën e disa emrave të njohur socialist në Kryesinë e re të PS, ai thotë:
“Z.Ditmir Bushati ka një ftohje të kahershme me PS. Kuptohet që nëse s’të vlerëson Rama, njerëzit e tjerë janë numra. Pesha e akuzave që bëhet ndaj Xhaçkës kthehet në barrë elektorale për PS. Për znj.Mimi Kodheli me gjithë kontributin e madh që ka dhënë, Kodheli është pothuajse inekzistente. Është në ulje të kurbës së saj. Ndërsa individë të tjerë s’i takojnë më pritshmërive të Ramës”.
