Hetime në Veri të Kosovës: Bastisje në Zveçan dhe Zubin Potok për veprat “vrasje e rëndë” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”

Data

Hetuesit policorë kanë zhvilluar bastisje më 19 tetor në komunat e Zveçanit dhe Zubin Potokut, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në disa vepra të rënda penale.

Sipas njoftimit zyrtar, bastisjet lidhen me hetimet për veprat penale: “rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “vrasje e rëndë” dhe “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Prokuroria Speciale konfirmoi se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po kryhen hetimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa theksoi se “publiku do të njoftohet me detaje pas përfundimit të operacionit”.

Zveçani dhe Zubin Potoku janë dy nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, zona të cilat prej vitesh kanë qenë vatër tensionesh etnike dhe politike. Në vitin 2023, në këto komuna shpërthyen protesta të dhunshme të serbëve lokalë kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë, të cilat kulmuan më 29 maj me përplasje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it në Zveçan, ku dhjetëra persona – përfshirë ushtarë të NATO-s – mbetën të plagosur.

Në shtator të po atij viti, në fshatin Banjskë të Zveçanit, ndodhi një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ngjarja u cilësua si “sulm terrorist” nga autoritetet kosovare, të cilat fajësuan drejtpërdrejt Serbinë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe figurë e afërt me Beogradin.

Ndaj Radoiçiqit dhe disa personave të tjerë është ngritur aktakuzë, por shumica e tyre ndodhen ende jashtë juridiksionit të Kosovës. Deri tani, vetëm tre persona po gjykohen për rastin.

Prishtina kërkon dorëzimin e Radoiçiqit nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që autorët e ngjarjeve të Banjskës të përballen me drejtësinë, në mënyrë që të mos përsëriten tensione të tilla në veri të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related